Kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga delegacioni qeveritar në përbërje të zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe ministrave të Ekonomisë dhe Arsimit dhe Shkencës, Kreshnik Bekteshi dhe Renata Trenevska Deskoska, mbrëmë në Podgoricë pati takim bilateral dhe darkë pune me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Pas takimit, siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp, Zaev dhe Markoviq kumtuan se Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe Republika e Bosnjë e Hercegovinë po bëjnë edhe një hap përpara në bashkëpunimin rajonal përmes pranimit të nismës së kryeministrit Zoran Zaev për realizimin e idesë për linjë ajrore në relacionin Shkup – Podgoricë – Sarajevë.

“Të dy vendet kanë vetëm perspektiva para vetes, pas asnjë çështje të hapur. Ajo që është me rëndësi, vendosim hapa adekuat që vetëm do ta përforcojnë bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Dëshiroj të kumtoj se është harmonizuar teksti mes Republikës së Maqedonisë, Republikës së Malit të Zi dhe Republikës së Bosnjë e Hercegovinës së bashku me kabinetet tona, dhe ne si kryetarë të qeverive, tekst që do t’u dërgohet të gjitha kompanive ajrore që punojnë këtu në këtë rajon, që të dërgojnë ofertë për vendosjen e linjës ajrore në relacionin Shkup – Podgoricë – Sarajevë dhe anasjelltas, në mënyrë që këtë çështje të rëndësishme të mund ta zgjidhim”, theksoi kryeministri Zaev.

Sipas Zaevit, kjo do të mundësojë perspektiva të reja, si dhe bashkëpunim turistik dhe kulturor, bashkëpunim në sferën e sportit, të arsimit dhe nga të gjitha aspektet e tjera të jetës së përditshme të qytetarëve.

Markoviq e konfirmoi edhe interesin e Qeverisë së Republikës së Malit të Zi që kjo çështje të zgjidhet. Ai u dakordua se vendet nuk kanë çështje të hapura dhe se kjo mundëson zhvillim të marrëdhënieve.

“Dy kryeministrat, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, konstatuan se intensifikimi i bashkëpunimit në rajon i hapë perspektivat euro-atlantike për shtetet”, thuhet në kumtesë.

Kryeministri Markoviq theksoi se Republika e Malit të Zi e mbështet anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO dhe se shteti ynë e meriton atë.