Takimi i ndërmjetësuesit të KB-së Methju Nimic me negocuesit në kontestin mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin u anulua për shkak të obligimeve të të dyja palëve dhe u caktua për në fillim të dhjetorit, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, pas takimit të sotëm në Shkup me prefektin e Selanikut, Janis Butaris, i cili gjendet për vizitë në Shkup në kuadër të procesit të krijimit të masave të besimit mes dy vendeve.

“Kjo ishte vetëm dëshirë, datë e projektuar, me siguri për shkak të obligimeve të të dyja palëve u anulua për fillim të dhjetorit. Do të mbahen takime të tilla, i di edhe hollësirat, nuk do t’i publikoja pasi organizator është zotëri Nimici, por realisht e di se nuk ka arsye për anulimin e takimit”, shtoi ai.

Butaris përmendi se ky takim, edhe të tjerët, të planifikuar në Shkup , janë vazhdim i dialogut, që e ka pasur me Dimitrovin në Selanik në margjinat e takimit kuatrolateral në tetor.

“Si prefekt nuk do të ndërhyja në çështje politike, por megjithatë bashkëpunimi mes prefektëve, si përfaqësues të autoriteteve lokale është shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin e deritanishëm të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre”, tha prefekti i Selanikut.

Ai potencoi se ai çdoherë problemet i zgjidh nga themeli, e lartë, duke theksuar se përforcimi i bashkëpunimit të autoriteteve në nivel lokal do të kontribuojë edhe për hapjen e proceseve për zgjidhjen e të gjitha çështjeve tjera mes dy vendeve.

Ai e ftoi Zaevin për vizitë private në Selanik në natën e Vitit të Ri dhe theksoi se do të angazhohet që takimi i ardhshëm i kryeministrave të të dy vendeve të mbahet pikërisht në Selanik.

Zaevi tha se me kënaqësi do ta pranojë iniciativën që ta kalojë mbrëmjen e Vitit të Ri në Selanik.

Ai tha se me prefektin e Selanikut u pajtuan se politikanët nga të dy vendet kanë obligim t’i hapin perspektivat e qytetarëve dhe shtoi se ata munden të dalin si fitues nëse gjejnë zgjidhje për kontestin disadekadash me emrin.

Gjatë takimit të Butarisit në tetor në Selanik me ministrin e Jashtëm Nikolla Dimitrov, është arritur marrëveshje për formim të Grupit punues për bashkëpunim, i cili do të përfshijë më shumë komuna nga të dy vendet.