Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım sot në New York u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe pas takimit ai tha se OKB-ja duhet të nxisë bashkësinë ndërkombëtare sa i përket çështjes së spastrimit etnik ndaj muslimanëve të Arakanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Yıldırım, i cili qëndron për vizitë në SHBA, sot në selinë e OKB-së në New York u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Guterres.

Pas takimit me dyer të mbyllura, Yıldırım u tha mediave se gjatë takimit biseduan për çështjet rajonale dhe globale.

“I çmuari Guterres theksoi se Turqia, pavarësisht nga të gjitha rezultatet që shkaktuan paqëndrueshmëritë rreth vendit tonë, me të gjitha përpjekjet mban barrën e krizës së migrantëve. Sigurisht, ajo që ne presim nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së është gjithashtu edhe ata të na bashkohen”, tha Yıldırım.

Sa i përket muslimanëve Rohingya të ikur në Bangladesh, kryeministri turk shtoi se në bisedën e tij me Guterres theksoi nevojën për të siguruar që refugjatëve nga Arakani, t’u ofrohet ndihmë humanitare në koordinim me OKB-në, por edhe kthimin në atdheun e tyre.

“Gjatë takimit potencova se OKB-ja duhet të punojë në mënyrë më aktive dhe të nxisë bashkësinë ndërkombëtare kur bëhet fjalë për spastrimin etnik të muslimanëve Rohingya”, tha Yıldırım.

Ai shtoi se zëri i muslimanëve të Arakanit dëgjohet pak në opinionin botëror dhe se Turqia po punon që zëri i tyre të dëgjohet më shumë.

Në fund, Yıldırım shtoi se ai gjithashtu me Guterres bisedoi për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjet e Qipros, Libisë, Irakut dhe Sirisë dhe se një bisedë shumë e frytshme dhe konstruktive u zhvillua rreth këtyre çështjeve.