Prej të hënës Kuvendin e pret agjendë intensive duke pasur parasysh vazhdimin e mbledhjeve për ligjin për gjuhët, për miratim të buxhetit për vitin 2018, për zgjedhje të anëtarëve të rinj të Qeverisë dhe të prokurorit publik, mbledhje për pyetje të deputetëve dhe për fjalimin e rregullt vjetor të presidentit Gjorge Ivnaov, si dhe për ratifikimin e Marrëveshjes me Bullgarinë.

Në takimin e sotëm me gazetarët kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëroi edhe ndryshim të Rregullores kuvendore, që siç tha, do të thoshte edhe bisedime fillestare në kuadër të nismës “Zhan Mone”. Xhaferi tha se grupi i punës i përfaqësuesve nga grupet e deputetëve do ta shqyrtojë draftin e ndryshimeve në dhjetë ditët kur për buxhetin për vitin 2018 do të diskutojë Komisioni për financim dhe buxhet. Do të ndërroheshin dispozitat për mbledhje konstituive, numri i grupeve të deputetëve, procedurat për replika dhe kontrareplika dhe të tjera.

“Nuk do të duhej të krijohej përshtypja se ne jemi të gatshëm të bëjmë diçka pa opozitën, por duke e pasur parasysh komunikimin që e vendosëm, konsideroj se janë krijuar kushte për saktësim të disa gjërave të cilat do të kuptoheshin njëjtë nga të gjithë”, tha Xhaferi duke shtuar se ka kaluar koha kur partitë politike do të fokusohen vetëm në vendimet e ngushta partiake.

Sipas tij, në kuadër të dialogut nga procesi “Zhan Mone” duhet të fillohet me tema më të lehta politike, si ndryshimet e Rregullores për punë në Kuvend, Xhaferi thotë se përfaqësuesit e partive parlamentare janë dakorduar për bisedime, por se disa prej tyre është dashur të bëjnë konsultime plotësuese për shkak të ngjarjeve brenda partiake.

Të hënën do të vazhdojë debati për ligjin për gjuhët, ndërsa debati gjatë javës do të mund të ndërpritej nëse në Kuvend vjen propozimi për anëtarë të rinj të Qeverisë. Më pas do të fillonte debati për buxhetin për vitin 2018. Më pas, sipas projektimeve të tanishme do të duhej të mbahej mbledhje për pyetje të deputetëve, por edhe për ratifikimin e marrëveshjes me Bullgarinë.

Gjithashtu, Xhaferi, siç tha, ka filluar komunikim me kabinetin e presidentit Gjorge Ivanov lidhur me nevojën për gjykatës të rinj në Gjykatën Kushtetuese.

Në vitin 2017 Kuvendi ka miratuar 20 ligje, prej të cilëve njëri me procedurë urgjente, 13 në të shkurtuar, dy ratifikime dhe katër ligje në procedurë të rregullt.