Ish-ylli i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka folur së fundmi në një intervistë për përshtypjet e para që Messi ia kishte lënë atij në stërvitjen e parë me Barçen.

Messi e zgjati qëndrimin në Barcelonë pasi në fundjavë nënshkroi kontratë të re që e mbanë atë në klub deri në vitin 2021, transmeton Express.

Ndërsa, Xavi ka treguar se cilat ishin përshtypjet që Messi kishte lënë herën e parë që ishte paraqitur në stërvitje.

“Më patën paralajmëruar. Nga baza më patën paralajmëruar se një argjentinas shumë i mirë kishte ardhur në skuadër. E pata dëgjuar emrin e tij, por s’mund ta mbaja në mend. Dhe pastaj, ai erdhi për t’u stërvitur si 16-vjeçar. Kishim stërvitje ku luftonin një kundër një me Thuramin dhe Puyolin.. Pastaj dëgjon të thonë ‘mbaje këtë lojtar, 16-vjeçar”, ai po luftonte kundër mbrojtësve profesionistë. Ai dukej ndryshe. I lindur për një kundër një, për shpejtësi, për të shënuar gola, për të goditur.. ishte diçka mbresëlënëse”, ka thënë Xavi.