Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kthyer 28 nëntorin, dita e flamurit kombëtar shqiptar në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, duke e shpallur si ditë pushimi.

“Duke u bazuar në Ligjin për festat zyrtare, kam vendosur që 28 nëntorin – si Dita e Shqiptarëve – ta shpalli ditë pushimi në territorin e Republikës së Kosovës, për t’i respektuar vlerat e trungut etnik shqiptar si dhe traditat e mira familjare e shoqërore. Vendimi, që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi, është i motivuar nga aspekti historik, tradicional dhe politik”, ka shkruar Haradinaj.

Data e 28 Nëntorit, ditës së flamurit kombëtar shqiptar, ishte lënë jashtë nga kalendari i festave zyrtare të Kosovës qysh në vitin 2008 kur u miratua projektligji për festat zyrtare te Republikës se Kosovës.