Do të dyfishojmë furnizimin me ujë të Tiranës, është shprehur kryebashkiaku Erion Veliaj në Javën Ndërkombëtare të Ujit në Amsterdam.

“Jam shumë entuziast që pas dy viteve reforma në rrjetin tonë të ujësjellësit, tashmë Ujësjellësi i Tiranës është një histori suksesi. Histori suksesi sepse nga një kompani e falimentuar, e cila nuk furnizonte më shumë se 7 orë qytetin e Tiranës, sot është një kompani që jo vetëm po nxjerr fitim, jo vetëm e ka çuar në 14 orë furnizimin e qytetit, por po përgatitet për investimet për të sjellë 24 orë ujë në Tiranë. Transformimi ka qenë mbresëlënës, por problemi është që kemi qenë aq mbrapa sa na duhet që të shpejtojmë për të kapur të gjithë kohën e humbur me mënyrën se si është menaxhuar ujësjellësi”, tha Veliaj.

Ai theksoi se rrjedhojë e vendosmërisë dhe vizionit të Bashkisë së Tiranës, UKT-ja është bërë një institucion rentabël dhe i besueshëm edhe për bankat për të marrë kredi dhe për të bërë investimet e mëdha dhe të nevojshme.

“Pas gjithë ristrukturimit që i bëmë ndërmarrjes së ujësjellësit, jemi në prag të firmosjes së kredisë me BERZH-in për të kryer dy investime kryesore. Së pari, një tubacion i cili sjell ujin nga Bovilla, në zonën e Astirit dhe të Unazës së Re, aty ku patëm edhe krizën me thatësirën këtë verë, për ta zgjidhur këtë problematikë; së dyti, një investim për rritjen e kapacitetit të filtrimit në Bovillë, që do të na mundësojë dyfishimin e ujit që filtrohet për të furnizuar qytetin e Tiranës”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se me këto dy ndërhyrje i jepet zgjidhje përfundimisht situatës së emergjencës, çka i jep mundësi më pas Bashkisë së Tiranës të mendojë për zgjidhjen përfundimtare dhe sigurimin e furnizimit me uji 24 orë.

“Besoj se me këto dy investime zgjidhim çështjet më emergjente, për të vijuar me një sistem kapilar të transformimit të ujësjellësit në të gjithë qytetin. Kemi bërë shumë këto dy vjet, por më vjen mirë që më e mira është përpara”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu kënaqësinë edhe për memorandumin e bashkëpunimit të arritur me dy nga institucionet kryesore të ujit në Hollandë, çka sipas tij do kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të UKT-së.