Një vajzë tregon se i fejuari luan baste sportive dhe është aq xheloz sa e pengon të ndjekë kurset e gjuhëve të huaja. Historia e saj është rrëfyer për “ShkodraNews”.

“Përshëndetje, jam një vajzë nga Puka dhe dua një mendim tuajin për problemin që kam unë.

Jam 17 vjeçe dhe jam e fejuar me një djalë 25 vjeç. Ne jemi marrë me dashuri, por ai nuk është më ai i pari.

I fejuari im luan shumë lloto dhe gjitha lekët që fiton në punë i lë në sport. Më mërzit shumë sepse s’kemi lekë për asgjë.

Vetëm ankohet dhe bëhet nevrik. Nuk dëgjon as familjen e tij.

Kurse për mua është tepër xheloz. Nuk më lë të dal nga shtëpia pa mamin e motrën e tij. As me motrën time nuk më lë të dal.

Unë dua të vazhdoj kursin e anglishtes, por ai nuk më lejon. Thotë se do t’më mbajë ai e s’kam pse prish lekë kot.

Unë mërzitem gjithë ditën në shtëpi.

Një ditë i hapa idenë e shkollës së lartë në Shkodër, e më tha që mirë që më la në gjimnaz, shkollë të lartë nuk ka ose ta harroj martesën me të.

Nuk më pëlqen kjo jetë, edhe pse e dua shumë. Një mendje më thotë të nis kursin e anglishtes edhe të fejuarin të ikë nëse nuk do të rrijë me mua.

Pastaj e ndjej se e dua dhe s’dua ta humb, e as familjen s’dua ta turpëroj me ndarjen time.

Çfarë më këshilloni?”, shkruan ajo.