Ushtria egjiptiane filloi me sulme ajrore rreth gadishullit verior problematik Sinai, ku sot, gjatë shpërthimit të një bombe në xhaminë Al Raudah jetën e humbën së paku 235 persona, ndërsa 109 u lënduan.

Burime të sigurisë theksojnë se sulmet ajrore janë koncentruar në disa rajone malore përreth xhamisë, ku supozohet se fshihen ekstremistët.

Presidenti egjiptian, Abdel Fatah Al Sisi paraprakisht porositi se sulmi ndaj xhamisë nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

“Drejtësia do t’i arrijë të gjithë ata të cilët morën pjesë, kontribuuan, mbështetën, financuan apo nxitën këtë sulm qyqar”, theksoi Sisi në kumtesë.

Qeveria shpalli tre ditë zie, lajmëroi agjencia shtetërore egjiptiane Mena.

Shpërthimi, siç njoftojnë mediat lokale, ka ndodhur gjatë namazit të xhumasë, ndërsa katër sulmues të panjohur pastaj kanë hapur zjarr ndaj besimtarëve që kanë dalë nga xhamia. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Kaled Muhaxhit deklaroi se ekstremistët e kanë detonuar bombën gjatë sulmit.

Ministria e Punëve të Brendshme formoi komision të posaçëm për hetimin e sulmeve me bombë dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin Kajro.

Deri më tani asnjë grup ekstremist egjiptian nuk mori përgjegjësinë për sulmin.