Një delegacion nga Universiteti “Onsekiz Mart”, nga Çanakalaja e Republikës së Turqisë, i kryesuar nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Yücel Acer, i cili shoqërohej nga dy prorektorët e këtij universiteti, Prof. Dr. Suha Ozden dhe Prof. Dr. Mirza Tokpunar, si dhe Prof. Dr. Askin Koyuncu, gjatë ditës së mërkurë, më 15.11.2017, e vizitoi Universitetin e Tetovës, me ç‘rast u prit nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe prorektorët, ai për arsim, Prof. Dr. Reshat Qahili dhe Prorektori për shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani. Gjatë takimit, drejtuesit e UT-së, mysafirët nga Turqia i njohën me veprimtarinë akademike, procesin mësimor-shkencor, bashkëpunimin ndëruniversitar, si dhe për rolin dhe ndikimin e këtij institucioni në zhvillimin e përgjithshëm në vend dhe më gjerë.

Në drejtim të zgjerimit të bashkëpunimit, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Onsekiz Mart”, nga Çanakalaja e Republikës së Turqisë, nënshkruan marrëveshje, me të cilën parashihen më shumë fusha të bashkëpunimit mes këtyre dy universiteteve dhe ku përfshihen studentët e studimeve deridiplomike, ata të studimeve pasdiplomike, por edhe stafi akademik dhe ai administrativ. Sipas marrëveshjes, të dy institucionet në të ardhmen do të bashkëpunojnë në  shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Po ashtu, përmes kësaj marrëveshjeje, rregullohet edhe mënyra e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e kërkimeve shkencore dhe publikimeve, pjesëmarrja në seminare, konferenca, evenimente dhe takime të ndryshme akademike, si dhe aspekte të tjera të jetës dhe funksionimit akademik të dy universiteteve.