Gjykata Themelore Shkupi 1 sot e shqiptoi edhe aktvendimin e fundit për rastin “Lagjja e trimave”. Dënim i përjetshëm iu shqiptua Sulejman Osmanit nga fshati Brezë, sipas gjykatës, një nga organizatorët e dhunës në Lagjen e Trimave të Kumanovës në maj të vitit 2015 në të cilin u vranë tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë të Maqedonisë.

Sulejman Osmani nga fshati Brezë në sallën e gjyqit me duart e tij bëri shqiponjën dykrenare, ndërsa pas aktvendimit i duartrokiti gjyqtares. Gjatë daljes nga gjykata tha se ky dënim paraqet dënim për shtatë milionë shqiptarë dhe brohoriti “të jetojë UÇK-ja”.

“Nuk ka dëshmi se i akuzuari ka kryer vepra penale terrorizëm dhe organizim terrorist. Mund të bëhet fjalë për vepër penale posedimit të armëve, nuk është kontestuese se ka qenë në vendin e ngjarjes, por nuk ka vepër penale terrorizëm. Nëse nuk ka civil të lënduar, ndërsa në këtë rast përkundrazi civilët kanë qenë mikpritës dhe i kanë ftuar  të akuzuarit”, atëherë nuk ka terrorizëm, deklaroi avokati Naser Raufi.

Osmani u gjykua në procedurë të veçantë, për dallim nga 37 të akuzuarit e tjerë në këtë rast, sepse ai një vit nuk ishte i qasshëm për organet e ndjekjes, gjegjësisht ishte në Kosovë. Pas ekstradimit të tij, u gjykua me procedurë të veçantë.

Gjykata vendosi se i akuzuari është fajtor për pjesëmarrje në një organizim terrorist dhe terrorizëm për ç’arsye e dënoi atë me burgim të përjetshëm.

Nga gjykata paralajmëruan se pas shpalljes së aktgjykimit, opinioni do të mund t’i shohë provat që dalin nga masat e posaçme hetimore, të cilat deri më tani janë mbajtur sekret,  me ç’ka do të largohen të gjitha spekulimet që kanë qarkulluar viteve të fundit.

Gjykata dje me burgim të përjetshëm i dënoi shtatë të akuzuar për sulm terrorist në Lagjen e Trimave të Kumanovës, ndërsa 13 të akuzuar u dënuan me nga 40 vjet burg.

Me nga 20 vjet burg u dënuan pesë të akuzuar, me dy vjet më pak u dënua një i akuzuar, ndërsa nga dy të akuzuar janë dënuar me 14, 13 dhe 12 vjet burg. Katër prej të akuzuarve u liruan.

Më 9 dhe 10 maj 2015, në lagjen e Trimave një grup i armatosur u përplas me forcat e sigurisë. Nga të shtënat jetën e humbën tetë policë dhe dhjetë persona të grupit të armatosur ndërsa u plagosën rëndë edhe dyzetë policë të njësive speciale dhe të veçanta