Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka theksuar se nuk do të tolerojë abuzimet tregtare ndaj SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ata që dëshirojnë të bëjnë marrëveshje duke zbatuar rregullat ekonomike, do të jenë partneri më i afërt ekonomik i SHBA-ve”, tha Trump në fjalën e tij në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në qytetin Da Nang të Vietnamit, ku ndodhet në kuadër të turneut të tij aziatik.

“Ata që mendojnë se qeveria amerikane do të shpërfillë shkeljet, dredhitë dhe padrejtësitë ekonomike, tanimë ato ditë kanë mbaruar. Ne nuk do t’i tolerojmë abuzimet e padrejta tregtare dhe ekonomike ndaj SHBA-ve. Për mua, në rend të parë janë SHBA-të”, tha Trump.

Duke theksuar se janë të gatshëm për marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme, Trump tha se SHBA-të më nuk do të bëjnë marrëveshje që nuk do të mund t’i përballojë.

Trump tha se SHBA-të nuk janë trajtuar në mënyrë të drejtë nga ana e Organizatës Botërore të Tregtisë.

“Tanimë nuk i tolerojmë abuzimet kronike tregtare. SHBA-të gjithnjë do të kërkojnë marrëdhënie tregtare që bazohen në parimin e drejtësisë dhe reciprocitetit. Prej një kohe të gjatë janë duke vazhduar marrëdhënie tregtare të kundërta me ato që i dëshirojnë SHBA-të. Edhe pse SHBA-të i kanë reduktuar pengesat e tregut, shtetet e tjera nuk ua kanë hapur tregjet e tyre SHBA-ve”, theksoi Trump.

Ai tha se nuk e fajëson Pekinin zyrtar për jobalancën tregtare mes SHBA-ve dhe Kinën që e ka përmendur gjatë vizitës në Kinë, por qeveritë e kaluara amerikane.

Duke folur për kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut, presidenti amerikan bëri thirrje për unitet kundër këtyre kërcënimeve, duke nënvizuar se Azia nuk duhet të jetojë nën kërcënimet dhe shantazhimet bërthamore të Koresë së Veriut.

“Çdo hap i hedhur drejt denuklearizimit të Koresë së Veriut është hap drejt një rreziku edhe më të madh. Ne duhet të jemi të bashkuar kundër kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut”, porositi Trump.

Ndryshe, pas vizitës zyrtare në Vietnam, Trump më 12 nëntor do të vizitojë Filipinet, si stacioni i fundit në kuadër të turneut aziatik.

Gjatë turneut 13-ditor, Trump deri më tani ka vizituar Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën.