Miroslav Dukic, trajneri i Partizanit të Beogradit, foli në konferencën për shtyp për sfidën e nesërme ndaj Skënderbeut, duke i vlerësuar maksimalisht korçarët. 51-vjeçari i ka bërë thirrje tifozëve që të mendojnë vetëm për futbollin.

“Jemi të vetëdijshëm që luajmë ndaj Skënderbeut një nga dy ndeshjet më të rëndësishme në grup. Na pret një takim i vështirë, sepse Skënderbeu është i fortë dhe mjaft agresiv, gjithsesi ne duam vetëm fitoren.

Nuk presim probleme në stadium. Na duhet spektakël futbollistik në një ndeshje të madhe. Duhet të flasim vetëm për futboll dhe jo për gjëra të tjera. Duhet të jemi miq dhe të afrohemi me njëri-tjetrin. Besoj dhe shpresoj të jetë një ndeshje korrekte dhe e bukur.

I bëj apel publikut që të mendojë vetëm për futbollin. Nga ajo që ndodhi para tre vitesh e pësuan futbollistët dhe Kombëtarja, që nuk pati mundësi për t’u kualifikuar. Do të mundohemi t’ua kthejmë mikpritjen shqiptarëve. Do të jeni serbët më të mëdhenj nëse ndihmoni skuadrën tuaj, por jo nëse sulmoni kundërshtarin dhe e fyeni atë.

Nuk do të jetë faktor lodhja fizike. Nuk kemi justifikime, do të luajmë në sulm. Stojkovic besoj se do të jetë gati. Kemi patur një dëmtim gjatë stërvitjes së fundit, të shohim si do të jetë situata”, u shpreh Dukiç.