Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totaj, tregon se ishte opsioni i parë i Vetëvendosjes për këtë komunë dhe se Mytaher Haskuka u kandidua nga subjekti i tij vetëm pasi Totaj kishte refuzuar ofertën e Albin Kurtit me të cilin ishte takuar dy herë për të folur rreth kandidaturës.

Gjatë një përballjeje televizive mbrëmë, Shaqir Totaj i tha kundërkandidatit të tij Mytaher Haskukës se Vetëvendosje e kishte atë si zgjedhje të dytë për Prizrenin, sepse më parë kandidatura i ishte ofruar vetë Totajt.

Totaj për Gazetën Express ka treguar se është takuar me Albin Kurtin, i cili ka provuar ta bind ish-menaxherin e degës së Adiministratës Tatimore në Prizren, tani kanididat i PDK’së, të garojë nën siglën e Vetëvendosjes.

“Më herët jam takuar dy herë me liderin e Vetëvendosjes. Ai më ka ofruar të jem kandidat i partisë së tij për komunë të Prizrenit”, ka thënë Totaj.

Ai thotë se e ka refuzuar Kurtin sepse oferta e partisë së tij nuk i është dukur e përshtatshme.

“Unë e kam analizuar ofertën e Albin Kurtit, edhe, nuk ma ka marrë mendja”, ka treguar kandidati i PDK’së në Prizren.

Totaj tregon se takimet kishin ndodhur për këto zgjedhje lokale dhe vetëm pasi ai nuk kishte pranuar, Vetëvendosje e kishin parë si opsion të dytë Haskukën.

Kandidati i PDK’së thotë se zgjodhi partinë e Kadri Veselit pasi i është dukur më përmbajtësore dhe më e mundur për të marrë postin e të parit të Prizrenit.

“Oferta e PDK’së më është dukur më përmbajtësore, mundësia më e madhe për të fituar dhe mundësia për të zbatuar konceptin tim menaxherial më shumë, në mënyrë që t’ia jap Prizrenit një kualitet të ri të qeverisjes për të cilën ka nevojë”, është shprehur Totaj.

Ndryshe, në rrethin e parën të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, Shaqir Totaj doli i pari me 29.66 për qind të votave, ndërsa Haskuka i dyti me 22.30 për qind. /Express/