Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë orët e para të ditës së sotme sheshxhirimin e serialit të famshëm turk “Ertugrul”.

Sipas një deklarate të kompanisë filmike “Tekden Film”, fatmirësisht nuk ka të lënduar, por zjarri ka përfshirë një pjesë të madhe të kostumeve të aktorëve duke i bërë ato të papërdorshme.

Zjarri është dalluar nga ekipi i sigurimit të kompanisë, që menjëherë ka lajmëruar zjarrfikëset e Stambollit. Pas disa minutash, flakët janë vënë nën kontroll, ndërkohë që ka nisur hetimi për të zbuluar shkakun e kësaj ngjarjeje.

Për shkak të dëmeve materiale, xhirimet janë pezulluar përkohësisht.