Njerëzit që ikin për ta shpëtuar jetën e tyre, duhet të gjejnë mikëpritje në vendet ku janë strehuar. Ata kanë ikur me qëllim që të gjejnë strehë dhe jo të jenë viktima të keqpërdorimeve të shumta. Kështu u shpreh kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, në tryezën e rrumbullakët me temë “Kriza e migrantëve në Maqedoni, gjendja momentale, sfidat dhe hapat e ardhshëm”.

Pirovska tha se migrantët për momentin ankohen për kualitetin e ushqimit, ndërkaq më shqetësues është depërtimi illegal i migrantëve si dhe lidhja e tyre më grupe të kontrabandimit. Për këtë arsye ajo i bëri apel Ministrisë së Punëve të Brendshme që ta përcjellin situatën dhe të mos lejojnë që migrantët të bëhen viktima të keqpërdorimeve.

URANIJA PIROVSKA, KRYETARE E KOMITETIT TË HELSINKIT

“Për momentin problemi më i madh dhe ajo që na shqetëson është depërtimi illegal i migrantëve në Greqi dhe pamundësia që të marrim informacione se çfarë ndodh me ata migrantë të cilët në momentin kur të arrijnë në Tabanovc, e braktisin kampin, me qëllim që të lidhen me grupe të kontrabandimit dhe të gjejnë dalje, sigurisht në mënyrë ilegale nga Republika e Maqedonisë. Ato grupe të kontrabandimit ndodhen në fshatrat përreth, afër kufirit në Tabanovc“

Jasmin Rexhepi nga shoqata Legis tha se kanalet për migrim të parregullt dhe puna me kontrabandistët janë hapur pas mbylljes së rutës ballkanike.

JASMIN REXHEPI, LEGIS

“Për dallim prej para dy vitesh tani kemi një situatë të re. Nëse në vitin 2015 ata kanë pasur qëndrim të rregulluar, kanë mundur të qëndrojnë, respektivisht të kalojnë në mënyrë legale nëpër shtet. Pas mbylljes së rutës ballkanike tani ajo është e pamundur dhe me vetë mbylljen e rutës ballkanike, janë hapur përsëri kanalet për migrim të parregullt, me të edhe puna me kontrabandistët”

Sipas panelistëve, qëllimi i kësaj ngjarjeje është që të shkëmbehen informatat nga të gjitha institucionet dhe organizatat, të cilat kanë qenë të përfshirë në krizën e migrantëve. Bëhet fjalë për projekt për mbikqyrjen e asaj se si të sigurohen dhe mbrohen të drejtat e migrantëve në Republikën e Maqedonisë. /SHENJA/