Presidenti i shtetit, Hashim Thaçi e ka quajtur shumë të rëndësishme vizitën e tij në Kanada. Ndër tjera thotë të ketë marrë përkrahje edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Presidenti Thaçi thotë se Kanadaja është mbështetëse e madhe e Kosovës në proceset integruese.

“Unë e mora zotimin e qartë dhe shumë të vendosur të shtetit kanadez se do të vazhdojnë të jenë afër nesh, do të vazhdojnë të jenë në mbështetje të fuqishme në rrugën tonë euroatlantike që Kosova të thellojë reformat e në kuadër të kësaj edhe në procesin e transformimit të FSK’së në forca të armatosura të Kosovës’, tha Thaçi për televizionin publik.

“Është një proces gjithpërfshirës dhe mendoj se diversiteti që është model është vlerë e jashtëzakonshme e shoqërisë kanadeze është një shembull edhe për Kosovën e re dhe multietnike në mënyrë që të jemi shembull edhe me themelimin e Forcave të Armatosura me një përfshirje të gjerë të komuniteteve, gjithashtu edhe të femrave. Duke themeluar Forcat e Armatosura të kemi mundësinë që të fillojmë me procesin e partneritetit për paqe dhe anëtarësimin ne NATO”, theksoi ai.