Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar sulmet në shtëpitë e dy pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Zubin Potok.

Nga bombat e hedhura sot rreth orës 2:00 nuk ka të lënduar, ndërsa Thaçi ka kërkuar nga Policia që të zbardhet rasti dhe sa më shpejtë përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

“Është i papranueshëm sulmi mbi shtëpitë e dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Zubin Potok. Kërkoj nga Policia e Kosovës që ta zbardhin rastin dhe përgjegjësit t’i sjellin sa më shpejtë para drejtësisë. Ne jemi të përkushtuar në integrimin e plotë të komunitetit serb dhe pakicave të tjera në institucionet e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.