Kryeministri Edi Rama ka komentuar në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist takimin e mbajtur në Kretë mes ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe homologut grek, Nikos Kotzias, mbi ccështjet e mbetura pezull mes dy vendeve.

Rama tha se tashmë ka ardhur koha që fqinjët tanë ti shohim në sy për zgjidhjen e problemeve, duke shtuar se mes dy vendeve po hapet një kapitull i ri.

“Duke inkurajuar ministrin e Jashtëm dhe skuadrën për të ecur përpara në këtë rrugë dhe duke ofruar mbështetjen për këtë rrugë, kam besim se këto çështje do adresohen deri në fund dhe mes dy vendeve do hapet një kapitull i ri dhe bëjmë gjithçka që kjo situatë krizash të kthehet në një situatë mundësish. Shqipëria ka partneritet strategjik me Italinë, Turqinë dhe Greqinë”, tha Rama.

Në vijim ai shtoi se Greqia është një partner strategjik dhe duam të kemi një traktat dhe jo probleme që pengojnë marrëdhëniet tona dhe ecurinë e një partneriteti strategjik.

“Ne na vjen mirë që më në fund palët janë në tryezë deh diskutimi nuk bëhet me deklarata në distancë.  Na vjen mirë që të gjitha çështjet trajtohen në mënyrë racionale.  Është një proces që vazhdon dhe jo i lehtë, por është një proces që vjen si rezultat i durimit dhe qetësisë që na kanë shpërblyer në fund me këtë mundësi për t’u parë sy më sy dhe për të folur hapur për çështjet që na shqetësojnë”, tha ai.