Shefki Daku

Zgjedhjet nacionale dhe lokale në Kosovë po vazhdojnë të përcillen me probleme serioze, për shkak të mangësive në sistemin zgjedhor që ka adaptuar Kosova e që nuk duket se është më i përshtatshmi për një shtet fillestar dhe me demokraci të brishtë. As sistemi më i avancuar zgjedhor në botë, nuk mund të jetë gjithmonë më i miri për të gjitha shtetet, për shkak të disa faktorëve e specifikave që ka çdo popull e çdo vend.

Mendoj se secili shtet duhet të ndërtojë një sistem që përshtatet me realitetin politik, historik, kulturor e religjioz të atij vendi, në mënyrë që përfaqësimi të jetë sa më korrekt e sa më gjithëpërfshirës që është e mundur.

Në sistemin që ka Kosova, me një njësi zgjedhore, një regjion mund të sigurojë çerekun e mandateve, ndërkaq një regjion tjetër mund të marrë minimumin, madje qendra të rëndësishme politike e kulturore brenda atij regjioni, mund të ngelin pa asnjë ulëse në parlament.

Për shembull Kamenica, si pjesë e rëndësishme e regjionit të Gjilanit, ka arritur të sigurojë vetëm një mandat për këto 18 vite shtet-ndërtim dhe demokraci në Kosovë.

Kosova ka nevojë për një sistem zgjedhor me më shumë zona, sepse ndryshe nuk sigurohet përfaqësim i drejtë në parlament.

Po ashtu, duhet të hiqet fare balotazhi, sepse praktika e deritashme ka treguar se rundi i dytë i votimit cenon rëndë rregullat e demokracisë. Balotazhi nuk është asgjë tjetër pos një pazar i madh për pushtet, ku ndodh që më të vegjlit bashkohen dhe ia marrin përparësinë kandidatit që qytetari i ka dhënë më shumë besim. A është në rregull kjo ?

Demokracia është parim i shumicës, por i asaj shumice që mandatohet nga qytetarët dhe jo i shumicës që krijohet me pazare në ndarjen e pushtetit. Vullneti i popullit nuk mund të shkelet me marrëveshje politike ndërmjet subjekteve e individëve të ndryshëm, të cilët në një moment politik, mund të jenë më të shkathët.

Reforma në sistemin zgjedhor do të mënjanonte mangësitë e tashme, që reflektohen me ankesa për manipulim të votave, me kërkesa për hapje kutish, me vota të munguara dhe probleme tjera që dosido e zbehin verdiktin qytetar.

(Autori është jurist, njohës i mirë i çështjeve zgjedhore