Në njëfarë mënyre zgjedhjet e sivjetme lokale ishin zhvillim i mëtejshëm i rrëfimit politik të filluar me zgjedhjet parlamentare 2016. Nga këndvështrimi i votave të fituara fillimisht del se kjo ishte periudhë e stabilizimit të trupit votues të LSDM, BDI dhe Lëvizjes Besa, ngritje e fuqishme e Aleancës, rrënie drastike e VMRO-së dhe shfarosje thuajse totale e PDSH-së, shkruan në kolumnën e tij Robert Nesimi.

Normalisht një pasqyrë më e mirë e rezultatit të zgjedhjeve fitohet nëse votat e grumbulluara nga secila parti përkthehen në mandate deputetësh. Gjegjësisht shtrohet pyetja se si do të dukej parlamenti sikur këto zgjedhje të kishin qenë zgjedhje parlamentare.

Për të krijuar një pasqyrë të tillë analisti Robert Nesimi ka marrë për bazë votat e fituara për këshillat e komunave, sepse këto pasqyrojnë më mirë vullnetin politik të votuesve dhe forcën reale të partive politike. Votat e fituara nga secila parti analisti Robert Nesimi i ka ndarë në gjashtë njësitë zgjedhore ashtu siç qenë në zgjedhjet e fundit dhe siç janë të ndara aktualisht me ligj. Pastaj ka përdorur metodën e D’Hondtit për t’i përkthyer këto vota në mandate deputetësh.