Nga Qeveria e Maqedonisë për Portalb.mk sot njoftuan se seanca e përbashkët qeveritare Shqipëri – Maqedoni e cila u paralajmërua se do të mbahet më 2 dhjetor, është shtyre për më 15 dhjetor.

Siç njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë, nuk ka ndonjë arsye se pse është shtyrë seanca qeveritare Shqipëri – Maqedoni.

“Seanca e përbashkët qeveritare Shqipëri – Maqedoni do të mbahet më 15 dhjetor në Pogradec të Shqipërisë dhe në të të pranishëm do të jenë të gjithë ministrat e të dyja qeverive”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Se çfarë pritet të jetë temë diskutimi e seancës së përbashkët nuk dihet ende.

“Për momentin shërbimet e të dyja qeverive janë duke finalizuar dokumentet dhe protokolin e seancës së përbashkës. Kur do të finalizohen do të informojmë për agjendën përfundimtare”, tha për Portalb.mk, Boshnjakovski.

Përndryshe, në fillim të nëntorit Qeveria e Maqedonisë vendosi të mbajë seancë të përbashkët me Qeverinë shqiptare dhe atë bullgare.  Siç informoi pres shërbimi i qeverisë seancën e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë e caktoi për më 2 dhjetor. Më 23 nëntor, në Strumicë u mbajt seanca e përbashkët Maqedoni – Bullgari në të cilën u nënshkruan disa marrëveshje. U nënshkrua edhe Protokoll për bashkëpunim në mbrojtje midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Ndryshe, Qeveria e Shqipërisë dje ka mbajtur seancë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës në të cilën u nënshkruan 12 marrëveshje. Ministrat e kabinetit Rama dhe Haradinaj firmosën memorandume bashkëpunimi në fushën e mjedisit për mbrojtjen dhe zhvillimin e tij, një tjetër memorandum për bashkëpunimin në fushën e kulturës, marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunimin për diasporën.

U nënshkrua gjithashtu një protokoll teknik mes dy ministrive të Bujqësisë për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare për produktet shtazore dhe joshtazore mes dy vendeve.

Gjithashtu u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi mes agjencisë AIDA dhe homologes kosovare KIESA, për nxitjen e investimeve, një memorandum mirëkuptimi në fushën e energjisë elektrike mes dy ministrive të energjetikës, marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore dhe marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive të jashtme në kuadër të integrimit europian.