Aktivistët e refugjatëve po tërheqin vëmendjen mbi trajtimin jo të mirë të refugjatëve dhe imigrantëve të bllokuar në ishujt e Greqisë, ndërsa në kampin më famëkeq të kontinentit, kushtet janë po aq të zymta.

Në nëntori pritet të mbylljet kampi i Dervenit, i vetmi në Greqinë kontinentale, ku refugjatët dhe emigrantët ende jetojnë në çadra, brenda një fabrike të braktisur, në një zonë industriale pranë qytetit verior të Selanikut.

Mbyllja e kampit të Dervenit, nëse realizohet, do të vijë mes përpjekjeve për t’i dhënë zgjidhje afatgjatë krizës së refugjatëve, pasi shteti grek po i konsolidon përpjekjet për të menaxhuar një popullsi të re prej më shumë se 50.000 njerëzish, shumë prej të cilëve zyrtarët grekë kanë frikë se mund të qëndrojnë në vend për vite të tëra.

Mes shtimit të hyrjes së refugjatëve në Greqi dhe kritikave ndaj trajtimit të situatës nga shteti, banorët e sapo ardhur të Dervenit mbeten thellësisht të pasigurtë për të ardhmen.

Për disa, “Fundi i Botës”

“Mendova se gjërat do të përmirësoheshin, por kur erdha këtu dhe përjetova këtë, ndjeva sikur kishte ardhur fundi i botës”, thotë Jemal, një banor i kampit, i cili kërkoi të identifikohej me këtë emër, që nuk është i tij.

Ai iku nga shtëpia e tij në Afrikën Lindore pasi foli kundër korrupsionit. Ai ka frikë ta tregojë publikisht emrin e vendit të tij të origjinës. Ai kaloi Egjeun me një gomone nga Turqia në ishullin grek të Lesvos, ku kaloi katër muaj duke fjetur në një çadër.

Rreth 13,500 emigrantë dhe refugjatë aktualisht janë duke qëndruar në ishujt grekë, përfshirë ishujt Chios, Samos, Kos dhe Leros.

Ata përballen me dëbim të mundshëm, pasi presin përgjigjen ndaj kërkesave për azil për më shumë se një vit e gjysmë dhe në bazë të marrëveshjes BE-Turqi, atyre që u refuzohet kërkesa për azil mund të kthehen të Turqi. Në shkëmbim të marrjes së këtyre refugjatëve Turqia merr ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian.

Gjendja e përgjithshme dhe kushtet e këqija të jetesës në kampe kanë nxitur kritika nga organizatat humanitare, duke përfshirë një grup prej 19 personash që i dërguan një letër të hapur Kryeministrit grek Alexis Tsiprias më 23 tetor. Letra i bën thirrje qeverisë greke t’i japë fund politikës së saj të mbajtjes së refugjatëve dhe emigrantëve në ishuj dhe kërkoi që qeveria t’i transferojë ata menjëherë në kontinent, me qëllim që “të plotësohen nevojat e mbrojtjes së tyre”. Megjithatë, jeta e Jamalit në kontinent është më e keqe:

“Dua të kem një jetë normale, këtu jeta nuk është normale”, – thotë ai.

Kushtet e rënda

Derveni ishte një nga kampet e përdorura nga qeveria në fillim të verës së kaluar pas shpërndarjes së mijëra njerëzve në kampe të improvizuara, të krijuara në pikën e kalimit të kufirit me Maqedoninë, kur ky vend i mbylli kufijtë.

Më shumë se 200 vetë ndodhen tani në kamp, disa prej tyre kanë ardhur të paregjistruar dhe kanë kaluar në këmbë nga Turqia, në Greqinë veriore; të tjerë, si Jemali, u transferuan atje nga ishujt grekë nga autoritetet greke.

Në javët e fundit, këto transferime kanë ndalur, megjithëse presioni për të larguar refugjatët nga ishujt po rritet përsëri, duke marrë parasysh se muajin e kaluar rreth 6,000 refugjatë u futën në vend nga Turqia, një rritje e konsiderueshme në krahasim me muajt e mëparshëm.

Në Derveni, ku në verë temperaturat janë të larta ndërsa në dimër tepër të ulta, dhe vullnetarëve po u mohohet hyrja në kamp, është përhapur dëshpërimi. Përdorimi i drogës, vjedhjet dhe përleshjet janë bërë pjesë e jetës në kamp.

“Njerëzit vijnë këtu dhe kanë stres, probleme dhe janë të zemëruar”, 0thotë Mohammedi, një iranian që u transferua në kamp nga ishulli grek i Samos. Ai kërkoi që emri i tij i vërtetë të mos përdorej, siç është e zakonshme në mesin e shumë refugjatëve, të cilët shpesh kanë frikë se zbulimi i identitetit të tyre mund të rrezikojë shanset për azil, ose sigurinë e familjeve të tyre në vendet nga vijnë.

Ndërkohë, disa persona anonimë, të cilët kohët e fundit kishin hyrë në kamp, paralajmëruan rreth kushteve të sigurisë, duke i thënë Zërit të Amerikës se: “Nëse një çadre do t’i vihej zjarri, i gjithë kampi do të digjej brenda 10 minutave”.

“Nuk do të doja që as armiku im më i madh të jetonte në ato kushte”, thanë ata.

Planet për mbylljen e kampit

Derveni është famëkeq për shumë punonjës humanitarë në Greqi.

Liene Veide është zëdhënëse e UNHCR-së, Organizatës së OKB-së për refugjatëve, dhe ka ngrtur zërin kundër zhvendosjes së njerëzve nga ishujt grekë në kampin e Dervenit.

Kampi “nuk është një vend i përshtatshëm për asnjë qenie njerëzore për të jetuar aty, veçanërisht jo në planin afatgjatë”, thotë Veide.

Gianluca Rocco, shefi i misionit të Greqisë në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), i cili së bashku me ushtrinë greke mbikqyr kampin në Derveni, tha se përmirësimet nuk janë bërë për shkak se kampi pritej të mbyllej më shpejt. “Na thanë shumë herë se kampi do të mbyllet”, tha Rocco, “dhe nganjëherë kur përpiqesh të mbyllësh një kamp krijon një situatë. ku nuk dëshiron të investosh në diçka që do të mbyllet”.

Ministri grek i Politikës së Migracionit, Giannis Mouzalas premtoi më herët se kampi do të mbyllej deri në fund të vitit të kaluar, përpara se ta shtynte datën përsëri, deri në maj të vitit 2017.

Ministria e Politikave të Migracionit nuk i është përgjigjur kërkesave për të komentuar mbi këtë problem.

Zyrtarët e UNHCR-së i thanë Zërit të Amerikës se Derveni është mes pesë kampeve në Greqinë veriore që do të mbyllen deri në fund të nëntorit. Tetë kampe të tjera janë mbyllur më parë gjatë këtij viti. /VoA