Shumë zhurmë për asgjë e ka cilësuar ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, të mbajtur në Korccë një ditë më parë. Mustafaj tha se edhe në mbledhjet e mëparshme mes dy qeverive janë miratuar marrëveshje, por ato nuk janë zbatuar.

“Kjo mbledhje e përbashkët ishte në stilin e një vargu që ka Rama tek kënga e tij ‘shumë zhurmë’. Pra shumë zhurmë për asgjë, pasi rezultatet kanë qenë shumë të padukshme deri tani. Çfarë është arritur në mbledhjet e kaluara? Pra nuk është bërë një bilanc dhe nuk pati asnjë referencë për marrëveshjet e mëparshme. Kjo do të thotë se nuk kishte asnjë bilanc, pasi rezultatet e marrëveshjeve të kaluara kanë qenë zero. Edhe marrëveshjet e mëparshme kanë qenë në letër dhe nuk kemi asnjë siguri se edhe kjo marrëveshje të jetë thjesht në letër”, tha Mustafaj, i ftuar në studion e Neës 24.

Ndërkohë në lidhje me festimet për Pavarësinë, ish-ministri i Jashtëm tha se fakti që krerët e politikës festojnë të ndarë është mesazhi më i shëmtuar për Shqipërinë.

“Nuk jepet imazh i bukur dhe nuk është hera e parë që festohet në këtë lloj mënyre. Kjo është çështje e kulturës politike dhe tregon imazhin që është i shëmtuar. Por ka një mënyrë për ta rregulluar këtë çështje. Në ligjin e protokollit duhet të jetë e detyrueshme pjesëmarrja për të gjithë protokollin. Krerët e të gjitha forcave politike duhet të jenë bashkë. Unë do thoja se duhet një rishikim i ligjit të protokollit për ta bërë të detyrueshme pjesëmarrjen e krerëve të politikës në festat kombëtare”, tha ai.