Po rritet numri i kompanive në Maqedoni të cilat zbatojnë praktika me përgjegjësi shoqërore, por kjo duhet të bëhet standard i pranuar në përgjithësi. Ky koncept i ndërmarrjeve u solli edhe fitim edhe ua rriti konkurrencën, u porosit sot gjatë edicionit të dhjetë të ndarjes së “Çmimit nacional për praktika më të mira me përgjegjësi shoqërore në vitin 2017”.

“Gëzon fakti që gjithnjë e më tepër kompani në Maqedoni janë vetëdijësuar se me investimin në përgjegjësinë shoqërore, investojnë në konkurrencën e vet më së shumti për shkak se këto praktika u bënë praktikë dhe parakusht për punë dhe eksport në tregjet e huaja, posaçërisht në tregun e BE-së”, tha në fjalimin e tij kryeministri Zoran Zaev.

Sipas tij, nëse ndonjë kompani dëshiron të realizojë fitim, duhet të kujdeset edhe për ambientin, shoqërinë dhe për bashkësinë në të cilën e realizon biznesin e vet. Kompanitë të cilat zbatojnë përgjegjësi koorporuese dhe shoqërore, vërejti, kanë dy deri tre për qind fitim më të madh se konkurrentët e tyre.

Në konkursin vjetor për çmimin u paraqitën gjithsej 34 projekte, 10 të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërsa 24 të ndërmarrjeve të mëdha. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve që aplikojë janë nga sektori shërbyes, sektori financues dhe ai i TI-së, ndërkaq më të shumta ishin aplikimet me projekte në kategorinë “Investim në bashkësi”.

Këtë vit për herë të parë aplikuan tetë ndërmarrje, apo 32 për qind e numrit të përgjithshëm, që sipas ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, flet se interesi i ndërmarrjeve për pjesëmarrje në çmimin prej vitit në vit po rritet. “Kjo tregon se koncepti i përgjegjësisë shoqërore bëhet pjesë përbërëse e punës së subjekteve përgjegjëse në Maqedoni sipas shembullit të atyre evropiane”, tha Bekteshi.

Siç potencoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carkovska, kompanitë i pranojnë thirrjet dhe kyçen në aktivitetet për mbrojtje sociale, por është shumë me rëndësi që nismat e deritanishme ad hok të shndërrohen në zgjidhje sistematike me përfitime në këtë fushë. “Shpresoj se praktikat për përgjegjësi shoqërore një ditë do të bëhen praktika standarde të pranuara në përgjithësi”, tha Carovska.

Euroambasadori Samuel Zhbogar u bën thirrje autoriteteve të përkushtohen më shumë në realizimin e qëllimeve për përgjegjësi sociale të ndërmarrjeve dhe të zhvillojnë masa inovative në mënyrë që të mund ta dëshmojnë këtë qasje.

Me vendim të komisioneve të jurisë, me statuetë në kategorinë “raporti ndaj të punësuarve” në solemnitet u shpërblye kompania “Alkaloid”, në kategorinë “menaxhim etik” Rade Konçar TEP, ndërkaq për “Raporte në treg” Ramstor MaqedonI”. Statuetë për kategorinë “raport ndaj mjedisit jetësor” morën “Legurat e Shkupit”, “Adora inzhenering” dhe Instituti ndërtimor Maqedoni, ndërkaq në kategorinë “Investim në bashkësi”, “EVN Maqedoni”, “Farmahem” dhe OKTA. U ndanë edhe mirënjohje jubilare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme më të shpërblyera.

Sipas rekomandimeve të komisionit të jurisë, kompanitë në të ardhmen duhet t’i kushtojnë më tepër vëmendje qasjes inovative gjatë ideimit dhe zbatimit të praktikave, t’i sqarojnë më hollësisht përfitimet afariste dhe shoqërore të projekteve si dhe të tregojnë bashkëpunim më të madh me organizatat civile, institucionet dhe përfaqësuesit e tjerë të sektorit jofitimprurës.

Çmimi nacional për praktika më të mira me përgjegjësi shoqërore në Maqedoni ndahet tashmë për të dhjetin vit jubilar. Në atë periudhë 173 ndërmarrje vendore aplikuan me 540 praktika me përgjegjësi shoqërore, prej të cilave janë shpërblyer 252.