Kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë në implementimin e projekteve për zhvillimin e kryeqytetit.

“Ka shumë investime që do ta çlirojnë potencialin zhvillimor të Prishtinës. S’ka forcë politike apo individ që mund të ndalë zhvillimin e komunës. Nuk jemi të interesuar që të konfrontohemi, i ftojmë të gjithë që të bashkëpunojmë. Në këtë rrugëtim jemi të gatshëm që të diskutojmë me të gjithë, nuk mendoj se do të ketë bllokada” ka thënë Ahmeti në një intervistë në Magazina Lokale të Klan Kosovës.

Si pjesë të plan-programit të tij qeverisës Ahmeti ka përmendur parkingun nëntokësor tek Fakulteti Filologjik, qendrën për zhvillim e karrierës, stacionin e ri të autobusëve si dhe rregullimin e ndërtesave kolektive.

Në veçanti Ahmeti ka folur edhe për ndërtimin e Sallës Koncertale që sipas tij do të jetë realitet brenda katër vjetësh.