Nuk arrita të kënaqesha si shoqja ime që kënaqej me të tjerë në rini dhe prapë është e lumtur, edhe pse tash e sa vjet është e martuar. Nuk kam menduar asnjëherë se do të bëhem nuse me dokument fals. Më dridhej trupi kur e dija se do të shkoja te një mjek dhe, pastaj, do të martohesha me një njeri që kurrë në jetë nuk do ta dinte se nusja e tij ishte false e virgjërisë së saj, shkruan për Portalin  “Kosovarja”, B., nga Gjermania.

Do të mbetesha tërë jetën në shtëpi të familjes sime, do të mbetesha e pamartuar, sepse këta të jashtmit nuk e duan për grua një femër që nuk është e virgjër, ani pse së pari martohen me gra plaka gjermane e zvicerane, e pastaj kur t’i bëjnë letrat martohen me femra shqiptare. Të njëjtin mendim e kishte edhe shoqja ime e ngushtë, me të cilën e kaloja kohën e lirë.

“Më mirë të mbetëm e pamartuar e në shtëpi, sesa ta mashtroj burrin, se pastaj do më mbetët njollë në zemër që burrit nuk ia kam treguar të vërtetën dhe e kam mashtruar”, i thosha shoqes sime me ngulm.

Dhe, nuk dija se cila nga ne e kishim mirë?

E, gabimin tim e mësova po atë ditë që dola të njihesha me një kurbetçar, e që kishte ardhur në Prishtinë në pushim, por edhe me qëllim që të martohej, siç thoshte ai – me një çikë të shtëpisë, sepse të tjera kishte sa të duash edhe atje… atje ku jetonte e punonte.

A isha unë ajo?

 Dihet që jo. Vetëm në rast se do shkoja te ndonjë gjinekolog për t’u qepur…

Çka më pyeti në takimin e parë?

Më pyeti: A kisha pasur të dashur dhe a isha ende e virgjër? Dhe, menjëherë më shkoi mendja te shoqja ime e ngushtë, e cila vazhdimisht insistonte që të shkonim te gjinekologu për ta “kthyer” virgjërinë.

Vitet ecnin dhe unë i afrohesha të tridhjetave, andaj askush nuk do donte nuse plakë… E, unë plakesha edhe më shpejt se të tjerat, sepse tërë kohën rrija duke menduar se si do të martohesha…

18 vjeçe e bëra atë “punë”

Qëkur isha nxënëse në gjimnaz, në moshën 18 vjeç, e kam bërë atë “punë” me një djalë, shok të klasës. Por, që nga ajo kohë më nuk kam pasur të tjerë, derisa, siç thonë, më erdhi kësmeti me tim burrë që jam tash dhe jetojmë në harmoni të plotë në Gjermani.

Por, mjerisht, asnjëherë nuk kam arritur t’ia them të vërtetën… të vërtetën time të hidhur… se martesa jonë është “produkt” i qepjes te gjinekologu.