Dy shqiptarë u arrestuan nga policia italiane në Milano, pasi u kapën me kokainë.

Në pranga kanë përfunduar shqiptarët 41 dhe 42 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 631 gramë kokainë dhe 1000 euro KESH, raportojnë mediat lokale pa bërë t ditur identitetet.

Policia kreu kontroll të befasishëm në banesën e tyre, pas ankesave të fqinjëve për lëvizje të dyshimta. Gjatë kontrollit, policia gjeti në banesë edhe një peshore dhe 2 celularë.

Në momentin që policia ka ndërhyrë për të arrestuar shqiptarët është hasur në kundërshtime dhe dhunë. Shqiptari 41-vjecar ishte një njohës i mirë i arteve marciale dhe ka plagosur lehtë dy nga efektivët e policisë para se të prangosej, njoftojnë mediat italiane.

Mësohet se dy shqiptarët ishin të dy punonjës sigurie në lokalet e natës dhe shpërndanin drogën në zonën e quajtur Baggio.