Shit-blerja e votës dominoi diskutimet në tryezën e organizuar nga KQZ për e adresimin e pritshëm të problemeve që u konstatuan më 25 qershor. Ambasadori i OSBE dhe kreu i KQZ thanë se duhet vullnet dhe reformë e plotë zgjedhore, ndërsa për demokratët, ndëshkimi i këtij krimi zgjedhor kërkon më shumë se kaq.

Reforma zgjedhore ende nuk ka nisur, e ndërkohë nga gjithë diskutimet paraprake pikëpyetja kryesore që zë vend është se cili do të jetë kodi që do t’i mbyllë derën shit-blerjes së votës. Ky është edhe rekomandimi kryesor ndër disa që OSBE-ODIHR ka dhënë për Shqipërinë pas 25 qershorit.

“Në reformën zgjedhore duhet gjithëpërfshirje dhe transparencë, duhen shqyrtuar faktet se përse mbërritëm në këtë pikë. Është në detyrën e politikës shqiptare të marrë përsipër të shqyrtojë rekomandimet e ofruara. Në këtë proces duhet të jeni realist,” tha Peter Tejler, shef i misionit të vëzhguesve të ODIHR

“Komisioni duhet të trajtojë me përparësi problematikën e kahershme të shitblerjes së votës. Aludimet e përhapura për shitblerje votash kanë dëmtuar besimin e publikut dhe partitë politike duhet të bëjnë përpjekje serioze për ta trajtuar këtë çështje. Njëri nga rekomandimet ka të bëjë me nevojën për të hetuar krimet zgjedhore. Jemi duke i kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurori dhe presim me padurim për rezultate konkrete”, tha Bernd Borchardt, shef i prezencës së OSBE-së.

20 vjet në KQZ, Klement Zguri, sot kryetar i tij, ka parë shumë nga proceset zgjedhore. Si organizator i kësaj tryeze, bëri thirrje për atë që e cilësoi si “nëna” e reformave.

Bled Çuçi, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Refromës zgjedhore shënoi një mungesë me arsye në tryezë, ndërsa homologu i tij demokrat, Oerd Bylykbashi theksoi se për t’i dhënë zgjidhje shit-blerjes së votës duhet një veprim më i gjerë se reforma zgjedhore.

Para ambasadoërve opozita tha se e ka si prioritet tjetër përfshirjen e teknoologjisë në zgjedhje.

Ambasadori i OSBE-së paralajamëroi se në dhjetor do të ketë një tryezë pune pikërisht për këtë çështje. E ndërkohë, siç theksohet dhe nga përfaqësues të Komisionit të Venecias, të gatshëm për ndihmuar me praktikën e tyre të mirë, ligji është dytësor në këtë përpjekje, pasi së pari u takon palëve që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe t’u japin fund praktikave të paligjshme. Venecia është për stabilitet të kodit zgjedhor dhe të sistemit po ashtu.