Kryebashkiaku i Shkupit Petre Shilegov i cili paradite me autobus u ngjit në Vodnon e mesme dhe i promovoi  instalimet edukative për fëmijë, edhe një herë përmendi se prej sot fillon ndalesa për lëvizjen e automjeteve deri në Vodnon e Mesme.

Shilegov njoftoi se me qëllim që t’ju ndihmohet qytetarëve të cilët relaksohen në Vodno, autoritetet e qytetit prej sot vendosin transport për qytetarët e linjës së autobusit numër 25, 25A dhe 25B i cili fillimisht do të jetë  falas.

Ndalesa do të vlejë gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën dhe gjatë festave shtetërore.

Nuk ka të bëjë për autobusët e NTP Shkup, automjetet e policisë, brigadës së zjarrfikësve, ndihmës së parë mjekësore, automjetet e shtabeve për intervenime urgjente, si dhe për automjetet me leje të veçanta.

Parashihet edhe parkim falas në garazhin në kate “Makedonska falanga” dhe parkingu “Dom na peçat” për qytetarët të cilët kanë për qëllim ta vizitojnë park-pyllin Vodno, duke lëvizur në këmbë ose duke e shfrytëzuar transportin e autobusit nr.25 dhe linjat provë nr.25A dhe 25B.

Kjo është paraparë në Vendimin për konfirmimin e masave afatshkurta për uljen e ndotjes së ajrit në rajonin e Shkupit që e solli Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e tij të dytë që u mbajt më datën 20 të këtij muaji.