Ylli nga Kosova, Xherdan Shaqiri, me skuadrën e tij synojnë pikë në ballafaqim me Liverpoolin, e cila luhet nesër (21.00), në kuadër të javë së 14-të të Premier League në futboll.

Ekipi i Liverpoolit, që drejtohet nga Jurgen Klopp, ka qenë i pafat në barazimin 1:1 në fundjavën që lamë pas ndaj Chelseat dhe nesër do të luajë në fushën e Stokes, që ka marrë dy barazime dhe një humbje në tri ndeshjet e fundit të kampionatit.

Stoke, bashkë me West Ham, ka mbrojtjen e dytë më të keqe të kampionatit, me 26 gola të pësuara në 13 javë. Stoke nuk qëndron mirë në tabelë, në vend të 15-të me 13 pikë, dhjetë me pak se Liverpooli që mban pozitën e gjashtë.