Gjatë ditë së djeshme (27 nëntor 2017), sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Maqedonisë, Valmir Aziri hapi ekspozitën e mbajtur në Galerinë Kombëtare të Kosovës ku morrën pjesë artistë nga Galeria Kombëtare e Maqedonisë me projekt të titulluar “Esenca e ekzistencës”. Në këtë ekspozitë prezent ishin edhe zëvendës ministrja e kulturës së Republikës së Kosovës Burbuqe Bakija – Deva, ambasadori i R.Maqedonisë në R. e Kosovës Ilija Strashevski si dhe sekretari shtetëror  i Ministrisë së Kulturës së RK-sëVeton Firzi.

Ky projekt udhëtues nga Maqedonia vjen në Kosovë si fryt i nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim mes dy institucioneve, që filloi të realizohet edhe praktikisht sivjet me ardhjen e projektit “Young Art Kosovo 2016” në pranverë në Shkup, ku u prezantuan Agon Blakçori, Bujar Sulejmani, Kolektivi HAVEIT, Jetulla Sulejmani dhe Luan Bajraktari.

Në fjalën e tij, sekretari Aziri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve ate të R.Kosovës dhe R.Maqedonisë ku tha se kjo është një shembull se si duhet të funksionojë bashkëpunimi mes dy shteteve fqinje.

“E shfrytëzoj rastin që t’i përgëzoj të dy institucionet për rezultatet e arritura për një kohë të shkurtër, duke dhënë shembull se si duhet të funksionojë bashkëpunimi mes dy shteteve fqinje me lidhje aq të fuqishme shpirtërore e kulturore, bashkëpunim i cili po na mungon vite me radhë” theksoi sekretari Aziri.

Ai poashtu potencoi se ajo që ju mbetet institucioneve kulturore dhe politikanëve në Maqedoni dhe Kosovë është: të ndjekin rrugët të cilën e shpalosin para nesh artistët – rrugën e bashkëpunimit më të fuqishëm dhe më intensiv në të mirë të të gjithëve.

Fjalimi i Sekretarit Valmir Aziri:

E nderuara zëvendës ministre e kulturës së Republikës së Kosovës, Burbuqe Bakija – Deva, i nderuar ambasador i R.Maqedonisë në R. e Kosovës Ilija Strashevski, i nderuari sekretar shtetëror i Ministrisë së Kulturës së RK-së, Veton Firzi, e nderuara drejtoresh e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, e nderuar drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë, Dita Starova të nderuar artistë e artdashës, të nderuar të pranishëm

Është kënaqësi e veçantë t’ju drejtohem sonte, jo vetëm për arsyen se kemi para nesh një ekspozitë, e cila sjell vepra dhe artistë që vërtet zgjojnë emocione dhe përjetime të thella artistike.

Kënaqësia është shumë më e madhe, kur kemi parasysh se me këtë ekspozitë po hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve, duke lidhur fuqishëm një prej hallkave të bashkëpunimit rajonal, të cilit i ka munguar struktura dhe dinamika, shpeshherë jo vetëm për shkak të rrethanave objektive shoqërore e politike në rajonin tonë të trazuar.

Është hera e parë në histori që Galeria Kombëtare e Maqedonisë ekspozon në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Projekti udhëtues nga Maqedonia, “Esenca e ekzistencës”, vjen në Kosovë si fryt i nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim mes dy institucioneve, që filloi të realizohet edhe praktikisht sivjet me ardhjen e projektit “Young Art Kosovo 2016” në pranverë në Shkup, ku u prezantuan Agon Blakçori, Bujar Sulejmani, Kolektivi HAVEIT, Jetulla Sulejmani dhe Luan Bajraktari.  E shfrytëzoj rastin që t’i përgëzoj të dy institucionet për rezultatet e arritura për një kohë të shkurtër, duke dhënë shembull se si duhet të funksionojë bashkëpunimi mes dy shteteve fqinje me lidhje aq të fuqishme shpirtërore e kulturore, bashkëpunim i cili po na mungon vite me radhë.

“Esenca e ekzistencës” sjell mbi njëzet artistë bashkëkohorë të Maqedonisë, në një koncept artistik që u drejtohet sferave të ndryshme të përditshmërisë, jetës, ekzistencës, perceptime të esencës së qenies, mbijetesës, funksionimit. Artistët përmes veprave flasin edhe për gjenezën e dashurisë, shpirtërores,t ë ushqyerit, duke shpalosur përmes tyre çështjet e dinjitetit, ideologjisë, jetës shoqërore e politike.

Përmes pikturave, grafikave, skulpturave, audio, video dhe instalimeve në hapësirë, objekteve e fotografive, printimeve digjitale, mund të shihni vështrimet e ndryshme që i kanë artistët bashkëkohorë nga Maqedonia, gjë që ofron një mundësi të shkëlqyeshme për një këndvështrim më të gjerë të artit bashkëkohor të Maqedonisë.

Ajo që u mbetet institucioneve kulturore dhe politikanëve në Maqedoni dhe Kosovë është: të ndjekin rrugët të cilën e shpalosin para nesh artistët – rrugën e bashkëpunimit më të fuqishëm dhe më intensiv në të mirë të të gjithëve. Është një rrugëtim që nuk ka fund, që fillon me njohjen më të mirë të ndërsjellë, që vepron përmes rrugës së respektimit të dallimeve artistike, shoqërore, politike, fetare e etnike, rrugë që fokusohet në atë që na bashkon, afron, na zhvillon dhe na ofron mundësi e vizione që na bëjnë pjesë e botës së civilizuar dhe erës digjitale, në të cilën deshëm-s’deshëm bashkëveprojmë sot.

Kjo është një kohë në të cilën vërtet mund të thuhet se bien kufijtë për qarkullimin dhe lirinë e artit në kuptimin teknologjik, por e cila fsheh sfida dhe të panjohura të reja për artin, mbijetimin dhe ri-inventimin e tij në kushte, rrethana dhe vlera tërësisht të reja nga ato të cilat vlenin shekuj me radhë.

Uroj që të gjithë së bashku, përmes bashkëpunimit tonë për të cilin ju siguroj se ka përkrahjen e plotë të Qeverisë së Maqedonisë dhe Ministrisë së Kulturës, të arrijmë synimet tona të përbashkëta. Le të jetë edhe kjo ekspozitë një shembull i kërkimit të përhershëm të artit të lartësive të paarritura, të shtyrjes të mëtutjeshme të kufijve të të mundshmes, rrugëtim i cili kalohet shumë më këndshëm – jo në vetmi, por në shoqëri.