Imami shqiptar nga Maqedonia Sabri Saliji, me vendbanim në Karben të Gjermanisë është i angazhuar si përkujdesës mysliman në burgun e Giessenit. Ai tashmë është shumë i kërkuar, pasi është hera e parë që në këtë burg ka më tepër se një e treta e të burgosurve myslimanë.

Në dërrasën e zezë shkruan: „Unë shkoj, ti shkon, ne shkojmë“. Por nga këtu askush nuk shkon aq shpejtë. Ashtu si edhe shumë të tjera, edhe kjo hapësirë në burgun e Giessenit është e mbyllur, dritaret janë me parmakë. Ndonjëherë është lokal për mësim të gjuhës gjermane, ndonjëherë lokal për biseda me të burgosurit, por edhe kur imami Sabri Saliji i sistematizon bankat afër murit, ai shndërrohet në xhami.

Në burgjet e Hessenit, gjithnjë e më tepër myslimanë janë duke vuajtur dënimin. Në vitin 2015 mesatarja ishte 22,7 për qind. Në tremujroin e parë të këtij viti kanë qenë 25,56 për qind. Pra, për herë të parë të burgosurit myslimanë paraqesin grupin më të madh në krahasim me përqindjen e të burgosurve të tjerë. Në muajin korrik të këtij viti, në Giessen kanë vuajtur burg 143, prej të cilëve 49 të besimit islam. Për të përmbushur kërkesat e të burgosurve, Ministria gjermane e Drejtësisë ka organizuar përkujdesës myslimanë. Njëri nga 15 sosh është edhe imami Sabri Saliji, i cili aktualisht i viziton të burgosurit në Hessen.

Imami shqiptar e viziton burgun katër orë gjatë të hënave dhe është shumë i mirëseardhur tek të burgosurit. Njëri nga ta i kërkon këshilla për familjen e tij, tjetri kërkon sexhade për tu lutur. Imami është gjithnjë i gatshëm t`ua përmbushë kërkesat, e më pas e tundë kokën: „Ata janë aq të rinj dhe shumica të paarsimuar, ndërsa familjarët e tyre nuk i mështesin. Edhe pse janë aq të sjellshëm, unë nuk guxoj të harroj se ata janë këtu për ndonjë delikt të kryer“, ka pohuar imami për të përditshmen gjermane „Giessener Allgemeine“, përcjellë „Shtegu.com“.

Se përse ata janë në burg, imami nga Maqedonia nuk do të di. „Çfarëdo që të kenë bërë, në besimin isam është e ndaluar“, pohon më tej imami. Në burg ai organizon lutje për të burgosurit myslimanë, ndërsa nuk mungojnë edhe bisedat individuale e grupore. Mbi deliktet e tyre ai debaton vetëm me dëshirën e të burgosurve dhe në katër sy. Temat më të shpeshta janë nëse veprat e kryera të tyre kanë të bëjnë me fenë islame dhe nëse diçka thuhet për to në Kuran. Shumica e tyre as që e dinë se çka shkruan në Kuran. Ata e pranojnë se për ta feja islame ka vlera të larta, por që nuk e ndërlidhiun veprën dhe jetën e tyre me të.