Qoftë nëse është fjala për një intervistë pune gjatë një darke apo është ndonjë takim i rëndësishëm, drekat e biznesit gjykohen në bazë të mënyrës si silleni.

Prandaj, herën tjetër që merrni pjesë në një drekë apo darkë të tillë, duhet t’i keni parasysh disa nga këshillat bazike të mirësjelljes për të lënë përshtypje të mirë.

ASNJËHERË MOS I VENDOSNI BËRRYLAT NË TAVOLINË

Rregulli më i njohur i tryezës është të mos i vendosni bërrylat në tavolinë. Mund t’i pushoni pëllëmbët e duarve në tavolinë, por asnjëherë bërrylat. Bërrylat duhet t’i mbani anash në mënyrë që t’i kontrolloni lëvizjet e duarve. Nëse dëshironi, duart mund t’i pushoni në prehër.

GJITHMONË VENDOSENI PECETËN NË PREHËR PARA SE TË FILLONI TË USHQEHENI

Pecetat duhet t’i vendosni në prehër posa të uleni. Kur të largoheni përkohësisht nga tavolina, vendoseni pecetën në karrige si shenjë që tregon se do të riktheheni. Asnjëherë mos e vendosni pecetën si kravatë.

MBAJENI CELULARIN LARG TAVOLINËS

Mos e përdorni celularin gjatë darkës; është mungesë e mirësjelljes. Mbajeni larg tavolinës dhe ndaljani zërin. Thirrjet dhe mesazhet i kontrolloni vetëm pasi ta keni përfunduar shujtën dhe të jeni larg tavolinës.

MOS PINI KUR JENI DUKE NGRËNË

Pritni derisa ta gëlltitni ushqimin, pastrojeni gojën dhe tek atëherë vazhdoni me pijen. Kjo bëhet në mënyrë që të mos mbetet ushqim në gotë.