Pasi uragani Harvey shkatërroi apo dëmtoi dhjetëra mijëra shtëpi në Hjuston dhe në Teksasin lindor, operacioni i pastrimit pritet të zgjasë 20 muaj dhe me kosto më të larta edhe se sa uragani Katrina që u pasua nga rimëkëmbja më e kushtueshme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Punëtorët pa dokumente janë pjesë e punës sfiduese për rindërtimin e qytetit të katërt më të madh të Amerikës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ramon Taylor, ata po kontribuojnë në këtë përpjekje, megjithë rreziqet e shumta.

Qyteti i Hjustonit nuk është më i përmbytur, por në disa lagje vazhdon të mbizotërojë myku. Nuk ka mjaftueshëm të punësuar për operacionin e pastrimit dhe kjo ofron një mundësi për punëtorët pa dokumente…

…si këta burra, që presin në parkimin e një dyqani materialesh ndërtimi nëse dikush ka nevojë për punë krahu, si për shembje strukturash, ndërtim, apo lyerje. Mbi 28% e të gjithë forcës punonjëse të Teksasit është pa dokumenta. Jo vetëm që rrezikohen të deportohen, por edhe vetë puna që ata bëjnë është e rrezikshme.

Organizatori në komunitet, Mauricio Iglesias, thotë se shumë prej punëtorëve pa dokumente të ndërtimit nuk i dinë të drejtat e tyre në vendin e punës, duke u bërë kështu edhe më shumë të cënueshëm.

“Nuk kanë paisje për frymëmarrjen, nuk kanë doreza, nuk kanë helmeta, nuk kanë asnjë mjet për të punuar dhe jo më paisje mbrojtëse ndaj bakterieve”, thotë zoti Iglesias.

Rob Hellyer, i Shoqatës së Ndërtuesve të Hjustonit, thotë se ai dhe anëtarët e tjerë të shoqatës ruajnë standarte të larta kur punësojnë njerëz. Por, ai thotë se një pjesë e problemit vjen për shkak të dallimeve në ekonomi dhe në praktikat shëndetësore të vendeve nga kanë ardhur punëtorët pa dokumenta.

“Atje kanë praktika dhe standarte shumë më të ulëta, në veçanti për sa i përket rregullave të sigurisë personale dhe ndoshta padije për rreziqet me të cilat do të përballen”, thotë zoti Hellyer.

Një situatë e tillë e rrezikshme është një operacion pastrimi i ujërave të zeza të kategorisë 3, që përmbledh krahas ujërave të zeza, edhe kimikate dhe ujin e sjellë nga përmbytja. Për punëtorët me paga të ulëta, të cilët paralelisht po mundohen të rindërtojnë edhe vetë shtëpitë e tyre, ka më shumë kërkesë për të punuar në pastrim, pavarësisht rreziqeve.

“Duam të punojmë dhe ndjehemi mirë që ka shumë punë, por në të njëjtën kohë ndjejmë gjithashtu se është shumë e rrezikshme”, thotë Elsa Isaula, e cila menaxhon një kompani pastrimi në Hjuston.

Ky shqetësim mbizotëron tek shumë familjarë.

“Frika ime më e madhe është nëse do më telefonojnë për të më dhënë ndonjë lajm të keq”, thotë Bernadina Rodriguez, bijtë e së cilës punojnë në ndërtim.

Gjatë orëve të pritjes, punëtorët që presin në parkim tregojnë historitë e tyre për plagosjet dhe aksidentet, por vazhdojnë të presin duke shpresuar për punë./voa