Vendimi i Gjykatës Supreme për rigjykimin e rastit “Monstra” ka rikthyer shpresën tek familjarët e të dyshuarëve për këtë rast, të cilët lajmin e pritën me një gëzim të papërshkruar. Pas shumë viteve dhimbje, lot e endje nëpër gjykata, atyre u është rikthyer buzëqeshja në fytyrë.

Nëna e Sami Lutës, njërit prej të akuzuarve, tregon për TV Shenja emocionet e ditës së djeshme, duke thënë se çdoherë ka besuar fuqishëm në pafajësinë e djalit të saj. Ajo beson se me procesin e rigjykimit, më në fund do të dëshmohet pafajësia e të dyshuarëve dhe do të gjinden vrasësit e vërtetë.

Ibadete Luta, nëna e Sami Lutës

“Vendimin e gjykatës e pritëm shumë mirë. Deshti i madhi Zot na gëzoi me këtë lajm, u gëzuam shumë. Si une bashkëshorti, shoqja e Sami Lutës, motra, familja më e ngushtë. Se di si ta përshkruaj, shumë mirë e pritëm lajmin. Presim se lënda do të rikthehet edhe aty jam e gëzuar se pafajësia doli në shesh, e drejta do të del në shesh.  Le të dijnë gjithë populli se djali ose të burgosurit tjerë edhe ato do të dalin të pafajshëm edhe djali. Besoj se pafajësia më do të del në pah. Edhe lënda kur të rikthehet kisha pasur dëshirë që vrasësit e vërtetë të jenë pas grilave të burgut aty ku është djali im të jenë ato vrasësit e vërtetë ti gjejnë shteti apo gjykata kur të rikthehet lënda”.

Zonja Luta me sy të përlotur, rikujton edhe një herë përjetimet dhe momentet e dhimbshme që kanë përjetuar gjatë gjithë këtyre viteve ajo dhe gjithë familjarët e tjerë.

Ibadete Luta, Nëna e Sami Lutës

“Shumë vështirë e kemi përjetuar, unë si nënë kam qenë shumë e brengosur. Asnjë vepër të keqe nuk ka kryer. Edhe ato kur e morën prap isha e guximshme, kisha durim, kisha besim te i madhi Zot se djali im një dit do të del. Shkojsha te burgu dhe kam thënë se nuk ia vlen që djali im të rrij këtu. Por, edhe ai ka qenë çdoherë durimtar i fortë dhe thoshte nënë njuë ditë do të bëhemi bashkë”.

Samiu ishte 27 vjeçar kur u burgos, ka kaluar 5 ditëlindje prapa grilave të burgur, vazhdon të tregon nëna e tij, të cilin e arrestuar rrugës për në darsëm, duke e shndërruar gëzimin në ditë zie. Që nga atëherë, siç thotë ajo, ata nuk kanë pasur gëzime në familje. Një vend në tryezë mbeti  gjithmonë i zbrazët dhe buka humbi shijen.

Ibadete Luta, Nëna e Sami Lutës

“Kemi qenë të bindur kur e kanë marrë djalin tim, sepse nuk e kanë zënë por, e kan marrë, kemi qenë në Bllacë duke shkuar në darsëm edhe e morën. Nuk ka pasur fakte, vetëm e morën djalin edhe isha e bindur se djali im është i pafajshëm.  Ajo është keq edhe për bashkëshorten e Sami Lutës, për babain, për motrën dhe ashtu siç e ceka edhe më parë edhe për nënë nuk është mirë. Por, përballuam dhimbjen e madhe që kemi pasur, ishim durimitar, kemi pasur durim, ja sot edhe erdhi dita që t’i lirojnë”. 

Për vrasjen e pesëfishtë tek Liqeni i Smillkovës para pesë viteve, me burg të përjetshëm janë dënuar gjashtë persona. Rasti gjithmonë është interpretuar si i montuar. Gjykata Supreme të premten mori  vendim që lënda e rastit “Monstra” të kthehet për rigjykim në Gjykatën Themelore Shkup 1.  Avokati i rastit, Naser Raufi, tha për televizionin Shenja se të hënën do të rifillojë procesi, kur do të mësohen nëse të dyshuarit do të lirohen edhe nga paraburgimi./Shenja