Plani për reforma në DSK, në fushën e ndjekjes së komunikemeve nga një Qendër e veçantë Teknike Operative duhet rishikuar, të diskutohet në debat publik dhe të merret koha e nevojshme për reforma thelbësore. Ndër kërkesat e profesorit Marjan Gjurovski, është që drejtori i kësaj Agjencie që pritet të formohet, të zgjidhet me konkurs publik dhe me 2/3 e votave në Kuvend dhe jo nga ana e Qeverisë.

“Ne kemi përvojë të hidhur me keqpërdorimin e kësaj Agjencie që pritet të formohet dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Drejtori i kësaj Agjencie të zgjidhet nga ana e Kuvendit me 2/3 e votave dhe nëpërmjet konkursit publik. Kjo sepse në kushte të besimit të ulët të qytetarëve ndaj sistemit të sigurisë, është e nevojshme që të gjithë partitë politike të bien dakord për përzgjedhjen e njeriut të parë të kësaj Agjencie”, deklaroi profesori Marjan Gjurovski.

Gjurovski propozon dënime më të mëdha për keqpërsoruesit e përgjimeve brenda Qendrës Teknike Operative por edhe DSK-së kurse edhe mekanizma vëzhgimi nga faktorë të jashtëm të cilët në çdo moment do të kishin qasje te puna e kësaj Agjencie dhe operatorëve telefonik.

“Institucionet shtetërore të sigurisë ligjërisht do të detyrohen, me dënime shumë të larta nëse nuk e bëjnë këtë, për bashkëpunim dhe transparencë me OJQ-të, me bashkësinë akademike, me mediat dhe para së gjithash edhe me komisionet e Kuvendit. Unë propozoj ligj për siguri integrale ku shkeljet eventuale ose keqpërdorimet nga individë ose grupe keqbërëse, që gjithmonë janë të mundura në Ballkan, të parashihen dënime drakonike nga të cilat dikush, as nuk do ta mendojë e jo më të bëjë atë që e kishim në 10-15 vitet e fundit”, tha Marjan Gjurovski, njofton Alsat-M.

Qeveria kohë më parë formoi një grup pune për të reformuar DSK-në, i cili thuhet se duhet të fillojë së shpejti me punë. Plani për reforma parashikon zhveshjen e tërësishme të këtij institucioni nga qasja mbi ndjekjen e telekomunikimeve. Me rekomandimet e Pribesë, parashihet formimi i një Qendre Teknike Operative, që do të shërbejë si organi i vetëm i autorizuar për përgjim. Të punësuarit e saj mundet vetëm t’i ndjekin telekomunikimet por jo edhe t’i dëgjojnë bisedat por prapëseprapë, ky organ do të ketë qasje direkte dhe të vazhdueshëm te pajisja, ose te numrat e telefonave në përgjim. Themelimi i Qendrës Teknike Operative do të bëhet me vendim të Qeverisë, në kuadër të tërësisë së organeve për siguri dhe kundërzbulim, edhe pse në planreformë thuhet se do të jetë organ i pavarur.