Përpjekjet e Rumanisë për të reformuar sistemin gjyqësor në vend shihen me shqetësim nga Shtetet e Bashkuara. Përmes një deklarate për shtyp, Departamenti i Shtetit vlerëson se legjislacioni i ri që po shqyrtohet nga Parlamenti i Rumanisë, vendos në rrezik luftën kundër korrupsionit dhe dobëson pavarësinë gjyqësore në Rumani. Sipas Departamentit të Shtetit, ky plan kërcënon progresin e Rumanisë për të ndërtuar institucione të forta gjyqësore, të mbrojtura nga ndërhyrja politike.

Koalicioni qeverisës i Rumanisë i udhëhequr nga Partia Social Demokrate po harton një plan për të marrë nën kontroll politik sistemin e drejtësisë, reformë që mendohet të miratohet deri në fund të këtij viti. Ndryshimet përfshijnë krijimin e një njësie inspektimi që mbikëqyr sjelljen e magjistratëve, mënyrën si emërohen kryeprokurorët dhe të drejtën e presidentit për të vendosur veto ndaj kandidatëve.

Por këto plane janë pritur me shqetësim edhe më gjerë në arenën ndërkombëtare, teksa diplomatë të huaj dhe mijëra magjistratë i kanë kritikuar ndryshimet si përpjekje për të vendosur sistemin e drejtësisë nën kontrollin politik. Reforma në drejtësi nuk mirëpritet as nga populli rumun, që është organizuar në demonstrata të shumta për të protestuar kundër ndryshimeve të propozuara.