Sonte policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj Bujupi.

Pas arrestimi ka reaguar Vetëvendosje, e cila përmes një komunikate për media ka thënë se ata janë arrestuar edhe pse flet arresti ka qenë i kundërligjshëm, përcjell Bota sot.

VV thotë se kjo luftë speciale ndaj deputetëve të tyre është dorëzim i qeverisë aktuale të Ramush Haradinajt ndaj klanit ‘Pronto’.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës ka burgosur prapë sot deputetin Albin Kurti dhe deputeten Donika Kadaj-Bujupi.

Ky arrestim u bë përkundër faktit që urdhër-arresti i lëshuar nga gjyqtari Beqir Kalludra ishte i kundërligjshëm dhe përbënte vepër penale; meqë deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi kishin bërë paraprakisht kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues tek kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Znj. Afërdita Bytyqi.

Ndonëse kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues është dorëzuar më 22.11.2017; gjykatësi Beqir Kalludra lëshoi fletëarrestin për deputetët tanë një ditë më vonë më 23 nëntor, pa pritur asnjë përgjigje nga kryetarja e Gjykatës Themelore sipas Kodit të Procedurës Penale,

Arrestimi i deputetëve është i padrejtë dhe manifestim i qartë i persekutimit politik që po i bëhet Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes organeve të rendit dhe drejtësisë, të cilat janë të kapura nga protagonistët e Klanit Pronto.

Kjo luftë speciale ndaj deputetëve tanë është dorëzim i qeverisë aktuale të Ramush Haradinajt kundruall agjendës së qeverive të mëhershme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilat mbahen mend për cenimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri dëshmon çdo ditë e më shumë se është vijmësi e shtetit të kapur.

Vendosmëria jonë për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës është më e fuqishme se çdo persekutim që mund t’iu bëhet deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Rezistenca jonë kundër padrejtësive dhe rreziqeve që vijnë përmes projekteve si Demarkacioni dhe “Zajednica” nuk mund të shtypen. Nga askush dhe asnjëherë.

Hiq më larg se dje, populli e vërtetoi vullnetin e tij për çlirimin e shtetit nga garnitura e Klanit “Pronto”. Populli e ka ndalur Demarkacionin dhe “Zajednicën”. Këtë vullnet popullor nuk mund ta ndalë makineria e pushtetit të Klanit “Pronto”.