Rasti “Monstra”, familjarët presin vendimin e Penales, Raufi: Sipas Ligjit, vendimi duhet të sillet me urgjencë

Nga e premtja e javës së kaluar kur Gjykata Supreme shpalli vendimin për rigjykim në rastin “Monstra”, familjarët e të akuzuarve në ankth presin momentin kur Këshilli pranë Gjykatës Penale do të vendosë për lirimin e të akuzuarve për mbrojtje në liri.
Bedri Ajdari, i cili është familjar i tre nga të dënuarit për këtë rast, thekson se ditët u janë shndërruar në pritje të gjata, ndërsa thekson se institucionet duhet të punojnë me urgjencë dhe përgjegjësi ashtu siç e parasheh Ligji.
“Unë habitem se si është e mundur që institucionet të mos funksionojnë me urgjencë, meqenëse këtu flitet për paraburgim, e kemi parasysh se Gjykata e Apelit ndodhet vetëm disa kilometra larg Gjykatës Themelore të Shkupit. Nuk e di se pse nuk punojnë, dje ishte lajmi se mund të zbresë lënda prej Apelit në mbrëmje ose mëngjes, kjo nuk ka ndodhur dhe pse nuk e dimë. Duhet të thirren në përgjegjësi, duhet të dinë se njerëzit janë në paraburgim. Duhet të bëjnë detyrën me urgjencë dhe përgjegjësi”,- deklaroi familjari i të dënuarve, Bedri Ajdari.
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, theksoi se nuk ka afat ligjor për të vendosur për këtë çështje, por që Ligji është taksativ kur thotë se duhet të vendoset në mënyrë urgjente.
“Ne si palë mbrojtëse presim që të lirohen me vendim të trupit gjyqësor të Këshillit Penal, por deri më sot Gjykata e Apelit nuk e ka dorëzuar te Gjykata Themelore lëndën. Është punë administrative dhe teknike vetëm ta përcjellin, nuk I di arsyet se pse edhe ditën e sotme nuk i kanë dorëzuar te Gjykata 1 që Këshilli të vendosë. Sipas Ligjit, këto lëndë duhet të punohen në afat urgjent, nuk ka kufizim kohor”,- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Nga Gjykata Penale për TVM2 njoftojnë se lënda akoma zyrtarisht nuk është sjellë në Gjykatën Penale, por është akoma në Apel.
Ndërkohë, nga Gjykata e Apelit, sektori për marrëdhënie me publikun, janë të pakapshëm për të na informuar se deri ku është procedura mbi këtë lëndë. Mundësia që të akuzuarit të mbrohen në liri u krijua pas vendimit të Gjykatës Supreme, i cili shfuqizoi vendimin e shkallës së parë dhe asaj të Apelit, ku ishin të paraparë 6 dënime me burg të përjetshëm./TVM2