Të paktën 335 persona kanë vdekur dhe mbi 3,000 të tjerë janë plagosur si pasojë e një tërmeti me magnitudë 7,3 ballë Rihter që goditi kufirin midis Iranit dhe Irakut verior, njoftoi sot Ministria e Brendshme e Iranit.

Numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa ekipet e shpëtimit janë vendosur në rajonin kryesisht kurd pasi goditjes nga tërmeti dje në mbrëmje.

Sipas raportimeve provincat iraniane të Kermanshah dhe Illam dhe qytetet kurde në Irak si Halabja, Erbil dhe Duhok ishin zonat më të prekura nga tërmeti i djeshëm.

Qytetet kufitare të Irakut, Halabja dhe Sulaymaniyah kanë deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme.

“Ministri kurd i Shëndetësisë, Rekawt Hama Rasheed njoftoi se në rajonin e Kurdistanit të Irakut kanë vdekur shtatë persona dhe 321 persona të tjerë janë plagosur dhe janë duke u trajtuar në spital”, sipas agjencisë kurde zyrtare të lajmeve “Rudaw”.

“Epiqendra e tërmetit ishte në një rajon të largët malor të Irakut, rreth 200 kilometra në verilindje të Bagdadit dhe 400 kilometra në perëndim të Teheranit”, sipas Institutit Gjeologjik amerikan, USGS.