Kohëve të fundit janë vërejtur raportime të qytetarëve për vjedhje të veturave. Për 24 orë janë vjedhur dy vetura të tipit “Golf II”, njëra në Gjakovë e tjetra në Prishtinë- ka konfirmuar policia për Gazetën Express. Dy veturat janë vjedhur në parking ndërsa policia po merret me rastet.

Lirije Podrimaj nga Policia në Gjakovë, ka thënë për Express se të martën në orën 20:20 në stacionin policor në Gjakovë është raportuar një rast “Vjedhje e veturës”. Vetura e tipit Golf ,,II” është vjedhur në parking në rrugën “Fehmi Agani”.

Tha se policia po merret me hetimin e kësaj vjedhjeje.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se në orët e para të mëngjesit të sotëm një personit në rrugën “Idriz Gjilani” në Prishtinë i është vjedhur vetura e tipit “Golf II” dhe policia po merret me zbardhjen e këtij rasti.

Ndërsa sot Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për dhjetëra raste të grabitjeve. Bëhet fjalë për E. Dragusha (43 vjeç) dhe A. Leci (37 vjeç). Të dyshuarit kanë qenë emra të njohur për policinë pasi kanë kryer dhjetëra raste të grabitjeve në Kosovë.