Kryeministri Edi Rama ka vijuar akuzat në lidhje me mediat, duke iu referuar në vlerësimet që bën, anketimeve që ka bërë vetë. Në studion e Neës 24, Rama tha se nëse vetë mediat do të bëjnë anketime mbi besueshmërinë e tyre, atëherë do të nxjerrin si konkluzion që janë po aq të pabesueshme sa edhe gjykatat.

“Bëni një anketim dhe ndoshta do të çuditeni, që mediat në sytë e opinionit publik janë po aq të pabesueshme sa gjykatat. Unë i kam bërë anketimet e mia.

Pushteti i 4-të ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme, por duke ushtruar pushtetin me papërgjegjshmëri e bën atë të pabesueshëm.

Bëni anketimin dhe do ta nxirrni vetë konkluzionin, media ka bërë një regres shumë të madh.

Audienca nuk është kriteri më i mirë për të përcaktuar besueshmërinë.

Në botën e medias jo gjithçka është për tu hedhur poshtë, ka shërbime të mira ndaj publikut, por kjo është e njëllojtë me  ato materiale të vlefshme që janë në një kazan me material që duhen hedhur në plehra”, tha Rama.

Kryeministri tha se nuk ka shpifur asnjëherë. “Nëse kam fyer dikë nuk ka qenë qëllimi im, unë përpiqem të jem sa më i vërtetë. Kam dhënë opinionin tim për gazetarët, nuk i heq asnjë presje”, tha Rama.

Sipas tij, mediat nuk janë tavolina pingpongu, është një ndërmjetës për opinionin, është një zë i pavarur, që i jep publikut mundësinë që të lexojë më mirë përmes fakteve, aktorët që janë në fushë.