Qeveria e Kosovës e quan paraqitje cinike, deklaratën e ish- kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, i cili ditë më parë në një emision televiziv tha se do ta votonin Demarkacionin me Malin e Zi, nëse dëshmohet se kufiri me këtë shtet është në Kullë dhe Çakorr.
Ish –Kryeministri Mustafa tha se u bë shumë zhurmë rreth hartave për kufirin, derisa sot sipas tij nuk po dukën askund të njëjtat. Sipas tij, AAK-ja çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi, e ka pasur kauzë të rrejshme dhe se sipas tij, tash duhet ta pranojnë se ka qenë e tillë.
Nëse ata mund ta vërtetojnë se kufiri është në Zhlep, LDK-ja do t’ua votojë. Por si kufi shtetëror, jo si kufi veç i bindjeve të Aleancës”, u shpreh ditë më parë Mustafa.
Por këshilltari politik i Ramush Haradinajt, Halil Matoshi, tha se Opozita demokratike ka të drejtë në kritikë publike, madje edhe në paraqitje cinike.
Ish- kryeministri, qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni mosbesimi e cila u votua edhe nga partneri i atëhershëm PDK-ja, foli edhe për zhurmën e madhe që sipas tij u bë rreth hartave kohë më parë. Ai pyet se ku janë këto harta tash e sa muaj, për të cilat ngritej zëri.
Halil Matoshi thotë për Express se qeveria e Mustafës nuk ka pasur performancë dhe se me harta merret vetëm Komisioni.
“Qeveria e Kosovës vlerëson se Qeverisë së kaluar i ka munguar performanca ndërsa me harta nuk merret Qeveria por ekspertiza e Komisionit Shtetëror të cilët në bazë të gjetjeve empirike dhe në afat optimal do ta përmbyllin punën e vet konform mandatit ligjor”, shtoi ai.
Haradinaj nuk hezitoi që të pranojë se shpresat që deputetët ta votojnë Demarkacionin kur ai të nxirret në Kuvend, janë të pakta. Si alternativë tha se do të jetë arbitrazhi ose rinegociimi me Malin e Zi.