Qeveria sot do ta mbajë mbledhjen e 40-t në të cilën do të shqyrtojë çështje nga disa sfera, ndërsa mes tyre edhe Strategjinë nacionale për luftë kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit, e cila është me propozim të Ministrisë së Financave.

Në mbledhje Agjencia për kadastër të patundshmërive do të parashtrojë propozim tarifor për ndryshim dhe plotësim të tarifores për lartësinë e kompensimit për shfrytëzim dhe kontroll të të dhënave nga Sistemi informativ gjeodezik-kadastral, si dhe të shërbimeve të tjera të agjencisë.

Ministrat do ta shqyrtojnë edhe informatën për aktivitetet e ndërmarra për arritjen e marrëveshjes ndërqeveritare për implementimin e FATCA regjimit në Republikën e Maqedonisë dhe për pozicionet e SHBA-së lidhur me përdorimin e arritjes së marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë për harmonizimin e tatimeve sipas llogarive të huaja (Foreign Account Tax Compliance Act – FATCA), që ka për qëllim ta parandalojë fshehjen e tatimit nga ana e obliguesve tatimor amerikanë të cilët kanë llogari jashtë vendit.

Në mbledhje do të shqyrtohet edhe informata lidhur me aktivitetet të cilat i ndërmerr Republika e Maqedonisë ndaj Konventës së Berlinit.

Ministria e Drejtësisë në mbledhje do ta prezantojë tekstin më të ri të Propozim-ligjit për amnisti rreth debatit publik të propozimit, përderisa Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës do të propozojë ndryshime dhe plotësime të disa ligjeve të cilat dalin nga ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për administratë publike. Me propozim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës në rend dite do të jetë edhe informata për nënshkrimin e Memorandumit për bashkëpunim me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore për realizimin e projektit për modernizim dhe transformim të administratës publike.

Në mbledhje do të shqyrtohet edhe Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e bashkësisë transportuese, si dhe Propozim-ligji për ratifikim të Protokollit për ndryshim të Marrëveshjes së 13 korrikut 2006 mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për evitim të tatimimit të dyfishtë lidhur me tatimet e të ardhurave dhe të pronës.

Ministrat do ta shqyrtojnë edhe raportin për negociata të kryera me tekst të harmonizuar të Marrëveshjes mes Qeverisë së RM-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrje të personave me qëndrim joligjor dhe Protokoll për zbatimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së RM-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrjen e personave me qëndrim joligjor.

Me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në mbledhjen e sotme të Qeverisë do të shqyrtohet edhe informata për rezultatet që i arritën nxënësit nga Maqedonia në programe ndërkombëtare për vlerësim (PISA dhe TIMSS) dhe reformat që dalin nga rezultatet e arritura, si dhe informatën për rrjedhën dhe progresin e aktiviteteve lidhur me projektin “Ulja e participimit për 50% të studentëve nga familje me një prind”.