Prokuroria Speciale Publike sot  në sallën e gjyqit në Gjykatën Penale ia dorëzoi mbrojtjes faktet për rastin “Trust” dhe pas kësaj gjyqtarja Lidija Trajkovska Zimbovska nuk lejoi anulimin e sërishëm të seancës gjyqësore.

Avokatët, paraprakisht, u ankuan se nuk u janë dhënë të gjitha dëshmitë për shqyrtim, për të cilën arsye u anulua edhe seanca paraprake më 7 nëntor.

Në gjykim prezent është edhe i akuzuari i parë në rastin “Trust”, Sead Koçan. Të akuzuar janë edhe dy persona të tjerë fizik dhe tre juridik, në mesin e të cilëve drejtuesit e kompanive “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” SHPKNJP nga Studeniçani për pjesëmarrje në një tender të Centraleve të Maqedonisë.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17-të milionë eurosh.

Lënda siç publikoi PSP-ja, është formuar në bazë të tri bisedave të përgjuara, prej të cilave dy të papublikuara në opinion prej 3.8.2011 dhe 6.10.2011.