Disa shqiptarë që jetojnë në Austri kanë mbajtur një protestë në rrugët e Vjenës për të kundërshtuar dënimin e Grupit të Kumanovës nga drejtësia maqedonase.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar me kërkesa për lirimin e të dënuarve, duke e fajësuar Maqedoninë si shtet shovenist.

Kjo protestë mbahet dhjetë ditë pasi Gjykata Themelore e Shkupit dënoi me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në lagjen Kodra e Trimave.

Ndryshe, në përleshjet dyditëshe më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Grupi kishte deklaruar se vendosja e tij në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ua ka ndarë nga 10 mijë euro secilit familjar të të dënuarve të Grupit të Kumanovës.