“Nëse dikush kryen vepër penale unë do ta ndjek, madje edhe në shtrat të vdekjes”, kështu deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai në seancën e sotme për rastin “Treqind” ku i akuzuari Gjoko Popovski nuk u paraqit në seancë, njofton Portalb.mk.

Gjykimi është shtyrë për 21 nëntor, ndërsa Fetai deklaroi se nuk i beson mbrojtjes e cila deklaron se Popovski nuk u paraqit në gjykatë sepse mjeku i ka rekomanduar të pushojë. Ajo propozoi të përcaktojë persona ekspert që do të konfirmonin se Popovski me të vërtetë nuk mund të vijë në seancat e caktuara.

“Ai është i akuzuar, kundër tij ka procedurë dhe ajo se është në pushim mjekësor nuk do të thotë nuk duhet të vijë në seancat gjyqësore. E njëjta ndodhi edhe gjatë hetimit ku ai nuk u paraqit në marrje të pyetjeve”, tha Fetai në fjalim.

Në fjalimin e saj reagoi edhe mbrojtja e të akuzuarit. Avokati i Popovskit tha se nëse i drejtohet kështu gjykatës do të dënohet.

Seanca e ardhshme është caktuar për të njëjtën ditë me rastin “Trust”.

Përndryshe, në rastin “Treqind” Prokuroria Speciale Publike hetoi keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ku një ndihmës ministër i MPB-së, dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Maqedonisë për 453.570 euro, gjatë blerjes së 300 makinave për MPB-në. Ashtu siç thanë nga PSP, i dyshuari edhe pse e ka ditur se cila ka qenë oferta më e volitshme, ai e ka pranuar atë nga Komisioni për Furnizim Publik.