Ambasadori francez në Maqedoni, Kristian Timonie sot do ta prezantojë Raportin për përvojën dhjetëvjeçare nga bashkëpunimi mes Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik dhe Akademisë nacionale për jurisprudencë (ENM) në sferën e reformave në gjyqësi.

“Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik dhe Akademia nacionale franceze për jurisprudencë (ENM) bashkëpunojnë tashmë 10 vite. Ky bashkëpunim realizohet përmes pasurimit dhe përmirësimit të praktikave gjyqësore, përmes këmbimit të përvojave të gjykatësve nga Franca dhe nga Maqedonia. Integrimi evropian i Maqedonisë është kushtëzuar me përforcimin e shtetit juridik, që nënkupton vendosjen e sistemit të trajnimit dhe zgjedhjes së gjykatësve të cilët i përmbushin kriteret objektive dhe të unifikuara”, thonë nga Ambasada franceze në Maqedoni.

Me këtë përvojë dhjetëvjeçare, siç theksojnë, dy partnerët dëshirojnë të bëjnë analizë të deritanishme, si dhe t’i konfirmojnë drejtimet për bashkëpunim të ardhshëm i cili do të kontribuojë për mendim të pasuruar në kuadër të agjendës reformuese të miratuar nga Qeveria e re. Në kontekst të asaj, shtojnë se ky do të ishte edhe qëllimi i misionit të cilin e zbaton ENM në Shkup në qershor të këtij viti.

Në prezantimin e raportit në rezidencën e Francës në Shkup është paralajmëruar prania e ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji dhe drejtoreshës së Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik “Pavel Shatev”, Aneta Arnaudovska.