Prej të dielës rajoni i Maqedonisë do t’i nënshtrohet valës së ftohtë dhe të lagësht, me ç’rast së pari në pjesët perëndimore do të ketë të reshura të shiut. Gjatë natës drejt së hënës të reshurat do të zgjerohen gjithkund, në male do të jenë të borës dhe do të fillojë erë e përforcuar veriore, kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).

Të hënën gjatë ditës moti do të jetë i ftohtë dhe me erë me të reshura të përkohshme të shiut, ndërsa të reshura të borës priten edhe në disa vende më të larta, posaçërisht në pjesët perëndimore. Të reshurat do të jenë me intensitet të dobët deri në mesatar. Temperatura e ditës do të jetë relativisht e ulët, në interval prej tre deri nëntë gradë.

Sipas DPHM, edhe të martën moti do të jetë i ftohtë dhe me erë me kushte për borë të dobët, kryesisht në pjesët lindore.